Ndërlidhjet

logo-print

Mbyllet pika kufitare në Jarinë




Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë njoftuar se pika kufitare 1 në Jarinë është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja.

Në një komunikatë për opinion, KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë.

Në pikën kufitare 31 në Bërnjak, njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.

KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.


KFOR-i vë nën kontroll doganat

Pas incidenteve të mbrëmshme, diku pas mesnatës e këndej, situata në veri të Kosovës raportohet të jetë më e qetë.

Sulmet e grupeve të serbëve në pikat doganore 1 dhe 31 në veri që rezultuan me djedjen e pikës në Jarinje, janë zbrapsur pas përforcimeve dhe rigrupimeve të KFOR-it në atë pjesë.

Ushtarët amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it, kanë hequr barrikadat nëpër rrugë, për të mundësuar kalimin te pikat doganore, me çka situata ishte vënë nën kontroll.

Të dy këto pika, tash kontrollohen nga ushtarët e KFOR-it.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu thotë se situata në përgjithësi pas mesnatës e këndej ka qenë më e qetë.

Sipas informatave qe ne i kemi pranuar nga njësitet tona policore në rajonin e Mitrovicës, tensionet që kanë qenë në orët e mbrëmjes deri në mesnatë, pas mesnatës situata ka filluar të qetësohet dhe nuk janë raportuar incidente apo probleme të asaj natyre që kanë qenë më herët”, bën të ditur Sadriu.

Zëdhënësi Sadriu tha po ashtu se pavarësisht situatës në pikat doganore dhe rrënimit të tërësisshëm të asaj në Jarinje, edhe sot policët dhe doganierët e Kosovës, nën përcjelljen e KFOR-it, janë të vendosur aty, ku edhe e kanë vendin e tyre të punës.

Kam informacione që në dy pikat kufitare ka zyrtar policor dhe janë me KFOR-in, por saktësisht nuk e di se si dhe kur i bëjnë ndërrimet, por ka zyrtarë policorë atje”, thotë zëdhënësi i policisë.

Burime nga Mitrovica bëjnë me dije se edhe sot kanë vazhduar kontaktet dhe bisedat e komandantit të KFOR-it, Erhard Byhler me liderët e serbëve lokal.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe thirrja e tyre drejtuar serbëve për një lloj mobilizimi, ka rezultuar mbrëmë me incidente të cilat u ndaluan vetëm pas intervenimit të trupave të KFOR-it.

Byhler ka bërë me dije se KFOR-i ka aftësi dhe ushtarë të mjaftueshëm që të përballet me të gjithë ata që cenojnë rendin dhe sigurinë në veri, apo në ndonjë pjesë tjetër të Kosovës.

Rreth zhvillimeve në veri, ka reaguar edhe kryeministri Hashim Thaçi i cili djegien e pikës kufitare e cilësoi si akt kriminal e vandal të nxitur nga Beogradi dhe strukturat paralele.

Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequr nga strukturat më të larta politike të qeverisë së Serbisë. Djegia e pikës 1 është bërë prej njerëzve me maska, por gjithçka është e qartë, pas kësaj djegie qëndron Beogradi. Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, ju siguroj dhe garantoj se nuk do të ketë asnjë kompromis. Reciprociteti mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të instalohet”, deklaroi Thaçi.

Dhunën e grupeve të serbëve në veri e kanë dënuar edhe zyrtarët e Beogradit të cilët mendojnë se akte të tilla i konvenojnë politikës së Prishtinës.

Sidoqoftë, në bazë të një marrëveshje të Qeverisë së Kosoëvs dhe KFOR-it, gjendja në veri do të duhej të mbahej nën kontroll nga ana e forcës paqeruajtëse pa pasur nevojë që qeveria t’i dërgojë njësitë speciale në veri.

Kurse në dogana parashihet të vendosen policët dhe doganierët kosovar dhe ata të EULEX-it.

Për sigurinë e tyre do të përkujdesen trupat e KFOR-it.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG