Ndërlidhjet

logo-print

Times: Ora pranverore


Një nga protestat pro-demokraci në Egjipt...

Një nga protestat pro-demokraci në Egjipt...

"Times"

Kanë kaluar gati gjashtë muaj që kur presidenti Ben Ali braktisi Tunizinë, për shkak të turmave masive që mbushnin rrugët.

Vetëm dhjetë ditë më vonë, rreth 50 mijë protestues egjiptianë mbushën Sheshin Tahrir dhe qëndruan aty, të guximshëm dhe sfidues, derisa presidenti Hosni Mubarak u detyrua të largohej nga zyra.

Shpejtësia dhe shkalla e kryengritjeve në botën arabe, kanë bindur botën se është dëshmitare e një revolucioni të ngjashëm me atë të vitit 1989 – një shpërthim ky aq i rëndësishëm sa dhe përmbysja e komunizmit.

Rënia e parashikuar e despotëve të tjerë në rajon, nuk ka ndodhur.

Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, gjatë një fjalimi, e bëri të qartë zhgënjimin e Perëndimit dhe bëri një vlerësim më real të ndryshimeve, për të cilat më herët kishte thënë se do të përfshinin Afrikën dhe gjithë botën në zhvillim.

Ndryshe nga Egjipti, vendet e tjera nuk kanë hezituar të dërgojnë trupa për të hapur zjarr ndaj turmave. Kolonel Gadafi ka kërcënuar se do të masakrojë armiqtë e tij në Bengazi. Qeveria e pakicës sunite në Bahrein goditi shumicën shiite.

Presidenti Bashar al-Asad zbatoi një regjim terrori në Siri, i cili ka marrë rreth 1.500 jetë njerëzish.

Ajo çfarë bota ka parë nuk është një revolucion, por një seri revoltash. Perëndimi fillimisht ka duartrokitur. Blogjet dhe sloganet bënin thirrje për demokraci dhe jo kalifat.

Dukej sikur brezi i ri – duke tweet-uar kundërshtimin ndaj shtypjes – do të detyronte sundimtarët e korruptuar dhe të moshuar të realizonin reformat politike dhe ekonomike që kishin anashkaluar botën arabe me vite.

Por, pas gjysmë viti trazira, është larg së kuptuari se kush e ka trashëguar pushtetin. Në disa vende ka fytyra të reja në krye, në të tjerat janë shpallur politika të reja.

Revoltat e tilla sporadike i kanë dhënë thjesht një fytyrë të re autoritarizmit të vjetër. A do të shkatërrohet Pranvera Arabe si Pranvera e Pragës më 1968? Apo edhe më keq – do të shtrojë rrugën për një raund më të egër të represionit - çfarë ka parë Evropa më 1848?

Revolta është nxitur nga ankesat e njëjta në gjithë botën arabe: rritja e çmimeve të ushqimit, standardet statike të jetesës, korrupsioni i elitave në pushtet – i papenguar nga ligji apo sfida zgjedhore, tortura dhe shtypja policore.

Por, demonstratat nuk ngritën asnjë lider, as alternativë koherente politike, asnjë demokrat që do të frymëzonte kombin e tij me vizione dhe shpresa të reja.

Çfarë është bërë Vael Ghonimi – menaxheri i kompanisë Google – i cili mblodhi “turmat e Tahririt? Kush do t’i zëvendësojë burokratët e diskredituar të epokës së Mubarakut? Dhe, cilat ndryshime janë gati për të zgjidhur sfidat e stagnimit, papunësisë dhe statusit të mjerueshëm të grave?

Optimizmi i janarit po venitet shpejt në Lindjen e Mesme, ashtu si edhe në Perëndim. Por, vendet perëndimore nuk janë soditëse. Ato janë fqinje të botës arabe.

Nëse abuzimet me të drejtat e njeriut në këtë rajon nuk do të zgjidhen, Perëndimi do të përballet me reagimet ndaj shpresave të zhgënjyera: varg refugjatësh, rizgjim i ekstremizmit islamik, politika të hapura anti-perëndimore, të ndjekura nga liderët e rinj, shembje të moderimit dhe kërcënim për furnizimet globale të energjisë.

Dy vende do të përcaktojnë se kah do të shkojë rryma politike: Egjipti dhe Libia. Perëndimi ka një rol të qartë për ta luajtur në të dyja.

Egjipti nuk është vetëm vendi më i populluar dhe më me ndikim rajonal; ai është vendimtar për suksesin apo dështimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për stabilitetin rajonal.

A do të vazhdojë të shikojë në perëndim kah Shtetet e Bashkuara, apo do të tërhiqet në lindje, për të ndjekur Iranin? Një plan i Marshallit për të ndihmuar vendet përmes sfidave të tyre të mëdha ekonomike, do të ndihmojë për të gjetur përgjigjen.

Libisë po ashtu do t’i duhet ndihmë e madhe pas luftës së saj civile, por vetëm kur Gadafi të jetë tërhequr. Ai është antiteza e pranverës arabe. Edhe kur ai të jetë zhdukur, ndoshta do të duhen vite para se një erë e butë e demokracisë të fryjë përsëri. Por, ajo do të fryjë një ditë. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG