Ndërlidhjet

logo-print

Takim me dyer të mbyllura


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka ftuar një takim urgjent me kërkesë të Serbisë, për të diskutuar dhunën dhe tensionet në veriun e Kosovës.

Diplomatët kanë thënë se bisedimet ne selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork do të mbahen me dyer të mbyllura, dhe jo siç ka kërkuar Beogradi, që takimi të jetë i hapur për publikun.

Diplomatët, që nuk kanë dashur t’iu përmendet emri, i kanë thënë agjencisë Reuters se aleatja e Serbisë, Rusia, e ka mbështetur kërkesën, ndërsa SHBA dhe Britania kanë thënë se kjo çështje mund të presë derisa të mbahet takimi i rregullt për Kosovën në muajin e ardhshëm.

Konsultimet vijnë pasi që një grup serbësh ka sulmuar pikën kufitare në Jarinë, duke e prishur atë me buldozer, e më pas duke i vënë zjarrin me koktej molotovi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar Beogradin zyrtar dhe liderët e strukturave paralele në veri, për sulmin në pikën kufitare në Jarinë.

Një grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe të motivuara nga autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar pikën kufitare 1 dhe 31”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, zyrtarë nga Qeveria e Serbisë janë përpjekur të distancohen nga grupi i maskuar serb që përveç se ka djegur pikën kufitare, sipas KFOR-t, ka gjuajtur me armë zjarri ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic ka dënuar sulmin.

Ajo që ka ndodhur këtu meriton dënim. Të gjitha përpjekjet për të cilat u munduam në 48 orët e kaluara shkuan dëm. Ky është një akt i ekstremistëve dhe grupeve kriminale. Nuk është vepër e popullit të Leposaviqit dhe popullit të Kosovës. Kjo nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona dhe do të bëjmë gjithçka për të rivendosur ligjin dhe rendin”, ka thënë Bogdanoviq.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajloviq, ka thënë se Serbia do të mbështesë dialogun.

Qeveria serbe mendon se asnjë presion, veçanërisht presioni i dhunshëm, nuk duhet të aplikohet, në mënyrë që të ndalë dialogun. Për ne, dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet në Kosovë, e vetmja mënyrë për të arritur stabilitet në rajon dhe për të arritur ripajtim historik mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Mihajloviq.

Qeveria e Kosovës natës mes të hënës dhe të martës ka ndërmarrë një aksion për të futur nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, përmes së cilave, sipas autoriteteve të Kosovës, deri tani është zhvilluar pa penguar kontrabandimi i mallrave nga Kosova në Serbi dhe forma tjera të krimit të organizuar.

Kjo masë u ndërmor për të zbatuar në tërësi reciprocitetin karshi mallrave të Serbisë.

Serbia nuk njeh vulat doganore të Republikës së Kosovës, dhe që nga viti 2008, Kosova nuk mund të eksportojë mall në Serbi.

Një marrëveshje për këto vula doganore, qe thënë se do të mund të arrihej në këtë muaj, por kryengociatorja Edita Tahiri tha se pala serbe u tërhoq nga nënshkrimi i marrëveshjeve.

Qeveria e Kosovës, në aksionin, në të cilin u vra një polic i njësisë speciale, nuk u mbështet nga autoritetet e Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e BE-së thanë se aksioni u ndërmor pa konsultime paraprake me ndërkombëtarët. (a.i.)
XS
SM
MD
LG