Ndërlidhjet

Kuvendi mbështet masat në veri


Mitrovicë - trupat paqeruajtëse të NATO-s, pranë urës së lumit Ibër.

Mitrovicë - trupat paqeruajtëse të NATO-s, pranë urës së lumit Ibër.

Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute i ka dhënë mbështetje qeverisë që të vazhdojë me masat e ndërmarra në veri të Kosovës, për vendosjen e rendit në pikat doganore dhe zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.

Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u mbështet nga 89 deputet, përderisa 8 ishin kundër.

Me këtë rezolutë, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet të drejtën Kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në gjithë territorin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili lexoi tekstin e saj.

Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga qeveria të vazhdoj në angazhimin e saj për vendosjen e autoritetit kushtetues në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në ndërmarrjen e veprimeve të tjera për shtrirjen dhe ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Grabovci.

Me këtë Rezolutë, Kuvendi fton edhe faktorin ndërkombëtar që t’i mbështesë dhe ndihmojë institucionet e Kosovës në angazhimet për vendosjen e autoritetit kushtetues në gjithë territorin e vendit.

Rezoluta u miratua gjatë një seance të jashtëzakonshme pas debateve të shumta.

Kryeministri Hashim Thaçi ka akuzuar edhe njëherë Beogradin dhe strukturat paralele në veri për djegien dhe sulmet në pikat doganore.

Këto turma të dhunshme kriminale serbe, nuk janë qytetarët serb shtetas të Republikës së Kosovës. Ata janë faqja e zezë e komunitetit serb në Kosovë. Ata janë e keqja e komunitetit serb në Kosovë. Ata janë duke e turpëruar komunitetin serb në Kosovë. Komuniteti serb në Kosovë gjithnjë e më tepër po distancohet nga ta. Kanë mbetur individë në Kosovë që e përqafojnë politikën e dhunës së Beogradit në Kosovë”, ka thënë para Parlamentit, Thaçi.

Ndërkohë, opozita, edhe pse i ka dhënë mbështetje qeverisë, ka shprehur pakënaqësi me hapat e ndërmarrë pas tërheqjes së forcave speciale nga veriu. Por megjithatë me votën e tyre ka mbështetur qeverinë.

Ndërkaq një mendim ndryshe nga partitë tjera politike në pozitë dhe opozitë ka shprehur lëvizja Vetëvendosje.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkoi që presidentja Atifete Jahjaga të shpallë gjendje të jashtëzakonshme duke propozuar edhe mobilizim për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që në përputhje aktuale kur Kosovës i është djegur kufiri në veri, presidentja e Republikës së Kosovës ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe më pastaj të ndodhë organizimi dhe aktivizimi i të gjitha resurseve qytetare e institucionale në përputhje me atë gjendje”, ka deklaruar Kurti.

Përveç masave të mobilizimit, Kurti kërkoi që të ndërpritet dialogu me Serbinë dhe të intensifikohen kontaktet me Tiranën, Uashingtonin, Ankaranë dhe vendet e BE-së që e njohin pavarësinë e Kosovës.

Një kërkesë e tillë, megjithatë nuk kaloi në Kuvend.

Pas marrjes nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, në kufi me Serbinë, KFOR-i ka njoftuar se dogana në Jarinje është e dëmtuar rëndë dhe si e tillë duhet të mbyllet për shkak të rrezikut nga shembja.

Në një komunikatë për opinion, KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë.

Në pikën kufitare 31 në Bërnjak, njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.

KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve në veri thonë se nuk qëndrojnë para akteve të sulmeve dhe djegies së pikës numër një në Jarinje.

Një nga liderët e serbëve të veriut, Kërstimir Pantiq thotë se nuk ka informacione se kush ishin ata që ia vunë zjarrin doganës në Jarinje.

Ne nuk kemi informacione se kush e dogji kalimin në Jarinje. Nuk e besoj se ata ishin serb nga Mitrovica, siç është prezantuar. Unë theksoj se nuk kishte ndonjë nisje të organizuar për në pikat doganore. Nga filmimet shihej se ata njerëz bartnin kapela kështu që nuk dihet se kush e bëri këtë vepër", thotë Pantiq.

Sidoqoftë, situata në veriun e Kosovës pas sulmeve të mbrëmshme në pikat doganore sot përshkruhet të jetë më e qetë.

Por, gjendja mbahet nën tension dhe se kjo vërehet me vendosjen e sërishme të barrikadave nëpër rrugët që qojnë në kufi me Serbinë nga ana e banorëve lokal serbë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG