Ndërlidhjet

OKB refuzon kërkesën e Serbisë


Vuk Jeremiq - foto arkiv
Vuk Jeremiq - foto arkiv
Me kërkesë të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur konsultime të mbyllura për situatën në Kosovë.

Organi i OKB-së ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit, ku do të diskutoheshin tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet.

Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se përse kaq shumë rezistencë për të dhënë kontribut në debatin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Ju mund të pajtoheni ose jo me atë që ka për të thënë Serbia, por të paktën është e drejtë të na dëgjoni – ne nuk u lejuam të dëgjohemi”, tha Jeremiq.

Diplomati serb deklaroi se kishte pritur tjetër përgjigje të komunitetit ndërkombëtar.

Shpresonim se do të merrnim përgjigje të caktuara në pyetje të caktuara në seancën e sotme – domethënë, kush e urdhëroi sulmin e papritur të militantëve në Kosovë? A ka ditur dikush nga bashkësia ndërkombëtare për planet e tyre? Nëse jo, përse atëherë EULEX-i është larguar nga territori në prag të sulmit, duke lënë popullatën serbe pa asnjë mbrojtje nga policia ndërkombëtare”, pyeti Jeremiq.

Ambasadori gjerman, Peter Viting, i cili mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit, tha se Bashkimi Evropian është organi i përshtatshëm për trajtimin e valës aktuale të dhunës në Kosovë.

Pas takimit të Jeremiqit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, zyra e këtij të fundit lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhet se kreu i Kombeve të Bashkuara “ka shprehur shqetësimin e tij me veprimin e papritur, që çoi në përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe ka mirëpritur thirrjen e presidentit serb, Boris Tadiq, për qetësi dhe mesazhin se vendi i tij mbetet i angazhuar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese mes Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut”.

Ndërkohë, KFOR-i ka vënë nën kontroll pikat doganore në veri të Kosovës, pas incidenteve të së mërkurës kur një grup serbësh dogji pikën doganore në Jarinë.

Forca shumëkombëshe tha se i ka deklaruar dy pikat kufitare në kufirin Kosovë-Serbi zona të kufizuara ushtarake dhe ka tërhequr vërejtjen se do të përdorë armë vdekjeprurëse.

Përmes një deklarate të përbashkët, sekretari i jashtëm britanik. Uilliam Hejg, dhe ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, kanë thënë:

Ne jemi seriozisht të shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

E kemi thënë në të kaluarën dhe e përsërisim edhe tani se mënyra se si trajtohen çështjet fqinjësore është një pikë e rëndësishme referimi për një perspektivë evropiane”, janë shprehur dy diplomatët.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë në favor të së drejtës së institucioneve të Kosovës “për të ushtruar kontroll të plotë mbi territorin e Kosovës”.

Rezoluta gjithashtu mbështet masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat e kontrollit doganor dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ndihmojë autoritetet të ruajnë integritetin territorial të Kosovës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG