Ndërlidhjet

Rreziku nga “revolucioni i dytë”

  • RFE /RL

Një nga protestat në Egjipt...

Një nga protestat në Egjipt...

Kanë kaluar gjashtë muaj që kur egjiptianët bënë revolucion dhe ushqyen “pranverën arabe” me rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak, pas 30 vjetësh në pushtet. Por, përse protestuesit i janë kthyer sërish sheshit të protestave për atë që ata e quajnë një “revolucion i dytë?!

Duke notuar në një det ndryshimesh që u ngrit në Tunizi dhe përfshiu gjithë botën arabe, egjiptianët dolën në rrugë më 25 janar, në shenjë proteste kundër regjimit të Hosni Mubarakut.

Zelli i tyre revolucionar u pagua me rrëzimin e Mubarakut dhe premtimin e mundësisë për të krijuar një të ardhme të re demokratike.

Përse atëherë, gjashtë muaj më vonë, sheshi Tahrir është pushtuar sërish nga protestuesit? Përse disa egjiptianë flasin për nevojën e një “revolucioni të dytë”? Për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, Radio Evropa e Lirë u ka drejtuar mikrofonin protestuesve që kanë ngritur kampet në sheshin Tahrir.

Hana Muhamed thotë se nuk ka parë mjaft ndryshime të vërteta, me gjithë përmbysjen e regjimit të Mubarakut.

Në fakt, regjimi ka ndryshuar, por kërkesat tona nuk janë përmbushur. Kjo do të thotë se regjimi vetëm është larguar – dhe atë vetëm disa, jo të gjithë nga ai regjim. Andaj, ne jemi këtu dhe po protestojmë ende, sepse duam që të bie i gjithë regjimi dhe duam ndryshime të vërteta. Nëse regjimi bie pa ndryshime, atëherë nuk ndodh asgjë”, thotë Muhamed.

Sipas saj, protestuesit duan që të gjithë zyrtarët e regjimit të mëparshëm të përballen me gjyqin.

Ne kemi shumë kërkesa. Ne duam që të gjithë ata që ishin pjesë e regjimit të kaluar, të jenë në gjykatë dhe të përballen me drejtësinë e vërtetë. Përse Hosni Mubarak është ende në arrest shtëpie? Ne e duam atë në burg. Disa nga ta janë deklaruar të pafajshëm apo janë dënuar me pesë vjet heqje lirie. Shumica nga ta kanë rregulluar dokumentet për t’i dërguar paratë jashtë. Ne i duam paratë tona. Ne duam drejtësi të vërtetë për policët që kanë vrarë protestuesit më 28 janar. Ne duam shumë gjëra të ndodhin. Unë kam nevojë për tre orë që t’ju them të gjitha kërkesat e mia”, shprehet Muhamed.

Një tjetër protestuese, e cila ka dhënë vetëm emrin e saj, Aisha, thotë se nuk është e kënaqur me punën që ka bërë Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura, që kur ka marrë përsipër udhëheqjen e vendit në muajin shkurt.

E vetmja gjë që ka ndodhur ishte fundi i kreut të regjimit të kaluar dhe fundi i sistemit të trashëgimisë. Kështu, njerëzit e Egjiptit fituan disa liri. Është dëshmuar se ata mund t’i fitojnë të drejtat e tyre përmes demonstratave, protestave dhe trazirave, ndërsa heshtja dhe qetësia nuk mund t’i ndihmojnë”, thotë Aisha.

Tubimet e kohëve të fundit janë organizuar dhe kontrolluar nga një numër i madh i rinisë revolucionare – Shabab-u-Saura. Anëtarët e këtij grupi janë stacionuar në hyrje të sheshit Tahrir dhe kanë kontrolluar çantat dhe kartat identifikuese të atyre që u drejtoheshin kampeve.

Gamal Abdul Azem, nga grupi në fjalë, thotë se nuk mund të mohojë rolin e paanshëm të ushtrisë egjiptiane, por thotë se reformat duhet të përshpejtohen.

Ne kërkojmë largimin e plotë të regjimit të mëparshëm. Ne duam ndryshim të vërtetë, liri dhe drejtësi. Disa nga kërkesat tona janë përmbushur, por disa nuk janë adresuar ende. Ne duam gjykimin e Mubarakut dhe të zyrtarëve të tjerë të regjimit të tij. Një nga arsyet e protestës sonë është se të gjithë zyrtarët policorë janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa ata kanë vrarë një numër të madh të protestuesve. Në anën tjetër, katër ministra të regjimit të kaluar, të përfshirë në korrupsion, po ashtu janë liruar. Ky është një akt qesharak në rrjedhën e revolucionit egjiptian”, thotë Azem.

Shumë nga protestuesit shprehin dëshirën që egjiptianët të lejohen vetë t’i zgjidhin problemet e tyre. Aisha është njëra nga ta.

Revolucionarët egjiptianë nuk kanë nevojë për asgjë nga bota, ata nuk duan asnjë lloj ndihme. Ne mund ta ndihmojmë veten. Kemi besim në veten tonë. Kemi mësuar se Perëndimi dhe vendet e tjera ndihmojnë vetëm kur kanë nevojë për diçka nga pala tjetër. Nuk duam të përsëritet koha e kolonializmit. Nuk kemi nevojë për asgjë”, thotë Aisha.

Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, pritet të dalë para gjykatës më 3 gusht. Ai akuzohet për përfshirje në vrasjen e protestuesve dhe për përfitime të paligjshme personale. (v.t.)
XS
SM
MD
LG