Ndërlidhjet

Thaçi qorton "negociatorët" ndërkombëtarë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës zotohen se nuk do të ketë kthim prapa deri në vendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi ka mbledhur kabinetin e tij qeveritar nga i cili ka kërkuar që të zbatohen në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë.

Ndërhyrjen e policisë speciale më 25 korrik, ai e ka cilësuar si epokë të re për Kosovën.

Kontrabanda në veri, sipas tij, është ndalur 100 për qind.

Ai falënderoi KFOR-in për vendosjen e kontrollit në dogana duke shprehur besimin se rendi do të vendoset në gjithë pjesën veriore.

Edhe këtë herë, Thaçi akuzoi Beogradin se po dirigjon strukturat paralele në sulmet kundër rendit publik.

Që nga trazirat në veri, në pjesën veriore po qëndrojnë kryenegociatori serb, Borko Stefanoviq dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq.

Por, Thaçi u ka dërguar atyre mesazh se shumë shpejt do të ballafaqohen me ligjin për shkak të qëndrimit ilegal dhe aktivitetit të tyre.

Ne kemi pasur ditëve të fundit qëndrime ilegale të zyrtarëve serb në Republikën e Kosovës. Do të jemi shumë të vendosur që këtë qëndrim të tyre ta trajtojmë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës dhe ballafaqimin e tyre me rendin dhe ligjin. Por, të njëjtën kohë, çështjen e pikave kufitare nuk do ta negociojmë me askënd”, ka thënë Thaçi.

Thaçi i ka dërguar mesazhe Beogradit edhe në lidhje me dialogun teknik, duke thënë se qeveria e tij nuk do të bisedoj më me njerëz që po dirigjojnë sulmet ndaj pikave doganore.

Me këtë deklaratë, ai ka shpallur në një formë të papranueshëm praninë e mëtutjeshme të Borko Stefanoviqit që të ulet në tavolinën e bisedimeve me palën kosovare.

Dialog për fqinjësi të mirë do të ketë, duhet të ketë, jemi të gatshëm, por në Bruksel me agjendën e planifikuar dhe paraparë nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA e në asnjë rrethanë, në asnjë kohë me zyrtarët që qëndrojnë në mënyrë ilegale në Kosovë”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri kosovar u ka tërhequr vërejtjen edhe përfaqësuesve dhe misioneve ndërkombëtare duke thënë se ata po negociojnë me serbët pa pasur mandat.

Mandatin e negocimit e kanë vetëm institucionet e Kosovës, u shpreh Thaçi.

Askush me këta zyrtarë ilegalë të Serbisë, qofshin ata diplomatë apo zyrtarë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të ulen dhe të diskutojnë në emër të Kosovës, për Kosovën dhe çështjet e brendshme të rregullimit të Kosovës. Mandatin e plotë e kanë vetëm përfaqësuesit e zgjedhur të Republikës së Kosovës për kontakte e biseda me zyrtarët e shteteve fqinje”, ka deklaruar Thaçi.

Që nga zhvillimet dramatike në veri, përfaqësues ndërkombëtar si dhe forca e KFOR-it ka zhvilluar disa takime me udhëheqësit e serbëve të veriut por edhe me ata të qeverisë së Serbisë që po qëndrojnë në Kosovë këto ditë.

Një zëdhënës i KFOR-it në Kosovë, Hans Uihter, thotë se bisedimet me palën serbe nuk janë negociata, por janë vetëm bisedime për t’i ditur pozicionet e palës serbe dhe asaj kosovare pasi që qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë nuk komunikojnë mes vete.

Ne jemi vetëm lajmëtar, përcjellës të informatave për arsye se ata (dy qeveritë) nuk bisedojnë mes vete”, thotë zëdhënësi Uihter.

Sa i përket gjendjes në terren ai ka konfirmuar se në portën 1 nuk ka policë kufitar por vetëm ushtarë të KFOR-it, kurse në atë 31 ka policë të EULEX-it dhe ushtarë të KFOR-it.

Në asnjërin vendkalim nuk ka doganier, ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se ka urdhëruar organet kompetente që të nisin riparimin e pikave të dëmtuara doganore.

Ai edhe këtë herë ka shprehur besimin se këto pika do të rifunksionalizohen, kurse siguria atje do të garantohej me ndihmën e KFOR-it.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG