Ndërlidhjet

logo-print

NATO tërhiqet “për të shmangur gjakderdhjen”


Forcat e NATO-s në Kosovë janë tërhequr nga një barrikadë e vendosur nga qindra serbë, për të shmangur konfrontimin me ekstremistët që penguan paqeruajtësit të arrijnë në bazën në veri.

“Unë kisha mundësi të largoj pengesën në rrugë. Por, kam vendosur të mos e bëj atë, sepse, në të njëjtën kohë, këtu ka shumë kriminelë, ekstremistë dhe njerëz të armatosur. Do të ishte makth”, u tha gazetarëve komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler.

Zëdhënësi i NATO-s në Kosovë, Hans Vihter, tha se vendimi i komandantit Byhler është bërë “për të shmangur gjakderdhjen” në zonën që është tronditur nga incidentet e dhunshme që kur Policia e Kosovës mori aksionin për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.

Mësohet se protestuesit kanë duartrokitur dhe brohoritur kur paqeruajtësit amerikanë dhe sllovenë janë kthyer prapa dhe kanë kaluar në pjesën jugore të lumit Ibër.

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka përshëndetur vendimin e forcave të KFOR-it për t’u tërhequr nga barrikada, raporton AP.
XS
SM
MD
LG