Ndërlidhjet

Gërxhaliu: Serbia tenton okupim të tregut


Merdarë

Merdarë

"Serbia do të bëjë çmos që të vazhdojë avazin e vjetër të okupimit ekonomik të Kosovës. Është koha që të kemi një qasje pro aktive drejt prodhimeve vendore. Nuk do të ketë mungesë", thotë për Radion Evropa e Lirë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, Kosova tash ka në funksion masat e reciprocitetit tregtar me Serbinë dhe Bosnjën. Cilat janë përfitimet konkrete që Kosova do t’i gëzojë nga ky vendim?


SAFET GËRXHALIU
Është më se e vërtetë që Kosovës kjo masë i është imponuar. Nuk ka qenë një dëshirë që kosovarët e kanë shprehur me vite. Mirëpo, është një mekanizëm, i cili i jep të drejtë Kosovës të mbrojë ekonominë e vet dhe ta shndërrojë këtë masë në funksion të zhvillimit.

E vërteta qëndron në faktin se Kosova do të fitojë edhe në aspektin politik, ekonomik, por mbi të gjitha në aspektin social. Në aspektin ekonomik, do të ketë një qasje shumë më të mirë të zhvillimit të prodhimit vendor dhe ngritjes së vetëdijes së konsumatorit për të konsumuar. E tërë kjo ka një formë të indeksit zinxhiror që do të reflektojë në zhvillim ekonomik të Kosovës.

Në aspektin social, nëse do të kemi zhvillim, do të ketë vende të reja pune dhe tensionet sociale do të minimizohen. Ndërkaq, në aspektin politik, është koha e fundit që duhet treguar se jemi shtet.

Është absurde të mendohet që një shtet i ka marrë deri në shtatë miliardë euro në 12 vjetët e fundit dhe nuk e ka një dozë të fleksibilitetit në afrimin ose në përafrimin e qasjeve rreth dialogimit, ose avancimit bilateral të bashkëpunimit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se në tregun kosovar do të ketë mungesë të produkteve, duke qenë se importi nga Serbia ka qenë në nivel të lartë?

SAFET GËRXHALIU

Ajo çka përfiton konsumatori në këtë situatë nuk është mungesa e produkteve, por përkundrazi do të konsumojë produkte shumë më pozitive, shumë më të mira, shumë më kualitative. Mbi të gjitha, do të konsumojë produkte, të cilat nuk janë të prodhuara në uzinat speciale, të destinuara vetëm për tregun kosovar.

Ato janë produkte të prodhuara enkas për tregun kosovar, duke pasur parasysh se në Kosovë mungojnë laboratorë të mirëfilltë për analiza. E tërë kjo ka qenë një përfitim për prodhuesit serbë, që vërtet me investime minore të arrijnë fitime marramendëse, e të gjitha këto në dëm të konsumatorit.

Se sa ka qenë i rëndësishëm konsumatori kosovar për Serbinë, e dëshmon fakti që janë në gjendje përmes vrasjeve, djegies dhe përmes dukurive negative, radikale e barbare, ta okupojnë këtë treg në aspektin ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni informacione se ka ekzistuar ndonjë uzinë speciale për prodhimin e produkteve enkas për tregun kosovar?


SAFET GËRXHALIU
Jo që kemi informacione në mënyrë indirekte, por edhe në mënyrë direkte. Nëse keni përcjellë kanalet televizive, para ca ditësh, dhe intervistat me transportuesit që kanë qenë të bllokuar në kufi me Kosovën, problemi kryesor i tyre ka qenë se nuk mund t’i kthejnë këto produkte në Serbi, sepse nuk kanë ku t’i plasojnë, sepse janë të prodhuara vetëm për tregun kosovar.

Nuk e di a ka nevojë për dëshmi dhe fakte më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përfolur mundësia që Serbia të gjejë rrugë alternative - nga Mali i Zi për shembull - që të fusë mallin në Kosovë. Sa ka gjasë të ndodhë kjo?


SAFET GËRXHALIU
Është më se e vërtetë që Serbia do të bëjë çmos që të vazhdojë avazin e vjetër të okupimit ekonomik të Kosovës. Mirëpo, është koha kur vetëdijesimi i konsumatorëve duhet të jetë më i lartë; është koha kur biznesmenët kosovarë të kenë një ndjenjë morali në vete, ose një dozë të etikës.

Çfarë është ndjenja e këtyre tregtarëve, kur pas kësaj çfarë ka ndodhur në kufi, pas këtyre vrasjeve, në vitrinat e tyre promovuese të kenë prodhime nga Serbia?! Është koha kur qasja duhet të ndryshohet. Dhe, prapë po them se një gjë e tillë na është imponuar. Është koha që të kemi një qasje pro aktive drejt prodhimeve vendore.

Nuk do të ketë mungesë, sepse diplomacia ekonomike në Kosovë është shumë aktive. Të gjitha ato diplomaci që janë këtu, synim parësor e kanë praninë e tyre ekonomike. Prandaj, nuk ka nevojë që të ketë skepticizëm.

Megjithatë, po e them me përgjegjësinë më të madhe se ka pseudo- biznesmenë, të cilët, ditëve të fundit, janë shumë aktivë, duke shkuar nëpër dyqane dhe supermarkete, duke apeluar te pronarët që t’i ngrenë çmimet, me qëllim që të krijohet një panik dhe t’i bëhet presion Qeverisë së Kosovës.

Por, e tërë kjo i shkon në favor Serbisë dhe qarqeve armiqësore të Kosovës dhe jo Kosovës e popullit të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Është shprehur edhe droja për rritjen e kontrabandës pas këtij vendimi. Ka gjasë të ndodhë kjo?


SAFET GËRXHALIU
Situata është alarmuar. E tërë kjo që ka ndodhur ditëve të fundit -kontrolli nga KFOR-i në pikat 1 dhe 31 dhe krijimi i kësaj Task-Force të quajtur në mes të Policisë së Kosovës, Doganës, Administratës Tatimore dhe EULEX-it në në fund të fundit, janë ato që do ta parandalojnë një dukuri të tillë.

Po e them se Kosova është më e mbrojtur se kurdoherë dhe po e them se edhe kontrabandës është duke i ardhur fundi.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se Serbia do të përdorë rrugë alternative - mendoj vendkalimet tjera kufitare, përveç veriut të Kosovës?


SAFET GËRXHALIU
Tentativa e Serbisë do të jetë që të shfrytëzojë vendkalimin kufitar nga Shqipëria në Kosovë. Por, prapë po e them se Task Forca dhe monitorimi i kufijve është në nivelin më të lartë dhe dua të besoj që edhe kontrabanda do të jetë minore me kalimin e kohës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas të dhënave që posedoni, cilat vende kanë shfrytëzuar këtë rast për të depërtuar në tregun kosovar?


SAFET GËRXHALIU
Ne si Odë Ekonomike e Kosovës kemi partneritet ose memorandume bashkëpunimi më me tepër se 40 Oda Ekonomike të rajonit, Evropës dhe më gjerë.

Të gjitha ato me muaj të tërë i kanë informacionet se cila është struktura e produkteve që importohet nga Serbia. Gatishmëria e tyre për të qenë të pranishëm, është mjaft e madhe dhe për këtë arsye nuk vërehet asnjë mungesë e mallrave.

Kuptohet primatin e kanë vendet e rajonit - Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Turqia dhe Bullgaria, por mbi të gjitha janë vendet evropiane, të cilat e shfrytëzojnë apo tentojnë ta shfrytëzojnë një situatë të tillë për të plasuar apo për të lëshuar rrënjë në tregun kosovar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG