Ndërlidhjet

Analistët politikë në Prishtinë sugjerojnë palën kosovare në bisedimet me Beogradin se nuk ka nevojë të bëjë kompromise pas veprimeve të fundit në veri të vendit. Duke i cilësuar masat e fundit në veri në funksion të vendosjes së rregullit në dogana dhe në harmoni me Kushtetutën, analistët thonë se pala kosovare tani ka një pozicion më të mirë në tavolinën e bisedimeve.


Zhvillimet e javës së fundit në veri të Kosovës dhe vendosja nën kontroll e pikave doganore kanë fuqizuar pozicionin e Prishtinës në dialogun me Beogradin, thonë analistët politikë në Prishtinë. Ndalimi i kontrabandës dhe zbatimi i masave të reciprocitetit shihen si veprime të domosdoshme.

Publicisti Jusuf Buxhovi thotë se realitetet e reja, të krijuara në ditët e fundit në veri, do të ndikojnë edhe në kuadër të dialogut.

Buxhovi vlerëson se dialogu dhe komentet e kryenegociatores së palës kosovare deri më tani vetëm e kanë dëmtuar Kosovën, kurse tash ai beson se palët po barazohen në tavolinën e bisedimeve.

“Ai dialog nuk ishte as përafërsisht në përputhje me interesat e Kosovës, por kishte rrezik që të krijohej një idil që do të shkonte në dëm të Kosovës. Kësaj i ndihmonte veçmas prononcimi i zonjës që udhëhiqte delegacionin e Kosovës, e cila thoshte se jemi në rrugë që Serbia të na njohë, të na e njohë realitetin, çfarë në të vërtetë ishin vetëm flokula politike, të cilat i shkonin për shtati asaj që Beogradi të vazhdonte me destruksione të tilla dhe të fitonte pikë te faktori ndërkombëtar, veçmas te ai evropian”, thotë Buxhovi.

Paraqitja e deritashme e Prishtinës në dialog ishte një iluzion dhe amatorizëm, shton ai, duke besuar se tani, me marrjen nën mbikëqyrje të pikave doganore nga ana e KFOR-it, Kosovës i është krijuar një rrethanë më e favorshme që duhet shfrytëzuar.

Këto zona duhet të mbeten të mbyllura përderisa të arrihet një marrëveshje në përputhje me logjikën ekonomike dhe sovranitetin e Kosovës, thotë Buxhovi.

Do të duhej në mënyrë recidive që të mos lejohet kurrfarë qarkullimi i mallrave dhe të mos lejohet që të funksionalizohen pikat 1 dhe 31. Ato duhet të mbeten nën mbikëqyrje të NATO-s dhe Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht atje praninë e NATO-s dhe të mos bëjë kurrfarë kompromisesh gjoja për arsye që të lejohet qarkullimi i lirë e të tjera. Të jetë këmbëngulëse derisa të arrihet një marrëveshje në përputhje me interesat e Kosovës”, vlerëson Buxhovi.

Profesori Ismajl Hasani thotë se efekti i parë i zhvillimeve të fundit do të jetë përshpejtimi i takimit të radhës, i cili qe shtyrë me fajin e Beogradit. Kurse, veprimet e fundit në veri e fuqizojnë pozicionin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve, mendon edhe profesori Hasani.

“Pa marrë parasysh problemet, shfaqjen e ekstremistëve, djegien e pikave kufitare e të tjera, Kosova nuk është në pozitë të disfavorshme. Ajo që është hendikep i Kosovës në këtë situatë, është se po bëhet përpjekje që nën trysni të riaranzhohet takimi, i cili është shtyrë me fajin e Serbisë”, thekson Hasani.

Sa i përket përmbajtjes së dialogut, profesori Hasani thotë se Kosova ka ndërmarrë një veprim në veri në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi andaj, sipas tij, nuk është e detyruar në asnjë formë që të bëjë kompromise në raport me Serbinë për çështjet e saj të brendshme.

“Kosova nuk është në situatë të bëjë kompromise. Kosova është pjesë e asaj që quhet Pako e Ahtisarit dhe përpjekja për të vënë kontroll në territorin të njohur në pikëpamje administrative e politike, nuk e paragjykon edhe nevojën për të bërë kompromise karshi bisedimeve, përkatësisht karshi zyrës së zotit Kuper”, vlerëson profesori Hasani.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që palët të tregohen të gatshme për dialog dhe për këtë qëllim pritet që, javën vijuese, Prishtinën dhe Beogradin t’i vizitojë i dërguari i baroneshës Kethrin Eshton në këto bisedime, Robert Kuper.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG