Ndërlidhjet

Maqedoni: (S') priten ndryshime në politikën e jashtme


Kabineti i ri qeveritar në Maqedoni.
Kabineti i ri qeveritar në Maqedoni.
Politika e jashtme e Maqedonisë nuk do të ndryshojë aspak me politikën e deritanishme, në raport me zgjidhjen e kontestit rreth emrit, çfarë është ndër pengesat kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kështu vlerëson Denko Malevski, ekspert i njohur i politikës së jashtme, duke four për pritjet nga qeveria e re lidhur me integrimin e vendit.

“Mendoj se nuk do të ketë ndryshim të pozicionit të qeverisë në raport me zgjidhjen e problemit rreth emrit. Qeveria e re do të vazhdojë me politikën e deritanishme. Mbetet deklarimi i saj se kompromis mund të ketë, por vetëm nëse është i pranueshëm për të dhe shumicën e popullatës, e cila për çfarëdo qoftë kompromisi që mund të arrihej, do të deklarohej edhe në referendum. Të gjitha këto deklarime konfirmojnë vazhdimësinë e politikës së deritanishme për mbrojtjen e emrit kushtetues”, deklaron Malevski.

Ai shton se çështja e emrit dhe integrimi në BE nuk janë priorite kryesore në punën e Qeverisë së Gruevskit dhe këtë, sipas tij, edhe më shumë do ta ndërlikojë konflikti i ri me Greqinë për çështjen e identitetit dhe të etnogjenezës së maqedonasve.

“Me hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me trashëgiminë antike, etnogjenezën e maqedonasve e kështu me rradhë, vijmë në konflikt me palën greke për çështjen e identitetit greko-maqedonas. Kjo e ndërlikon më shumë kontestin mes dy vendeve për dallim nga vitet '90, kur kishim të bëjmë vetëm me termin e shtetit të ri Maqedoni, që është i ngjashëm me atë të krahinës greke në veri të vendit”, shprehet Malevski.

Por, analisti politik, Xhelal Neziri, pret ndryshim të politikës së jashtme, jo se këtë e dëshiron qeveria, siç thotë ai, por se këtë është e detyruar ta bëjë.

Ndryshimin e politkës, Neziri e sheh që nga vendimi i ministrit të deritanishëm të Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, për të mos qenë më shef i diplomacisë.

Milloshoski konsiderohet si vijë e fortë nacionaliste në VMRO-DPMNE dhe kjo, sipas Nezirit, flet se partia e Gruevskit bëhet gati për të ndryshuar qasjen ndaj zgjidhjes së kontestit rreth emrit.

Veç kësaj, ai përmend edhe rrethana të tjera që do ta detyrojnë Maqedoninë që t'iu rikthehet proceseve euro-integruese.

Tani kemi një situatë më ndryshe. Kemi një parti shqiptare në qeveri, e cila ka pozicione më të fuqishme. Andaj, do të ketë presione që përmes kësaj partie shqiptare, të arrihet rikthimi i Maqedonisë në agjendën evopiane”, thotë Neziri, duke shtuar se, përveç integrimit në këto institucione ndërkombëtare, Maqedonia alternativë tjetër nuk ka.

Pas zgjedhjes së qeverisë, shefi i ri i diplomacisë, Nikolla Popovski, kishte deklaruar se prioritet i punës së tij do të jetë anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, ndërsa çështjes së emrit “do t'i qaset me energji të reja pozitive për kapërcimin e këtij problemi që pengon integrimin e vendit”.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, e cila njihej se kritikuesja më e madhe e politikës së jashtme të qeverisë së kaluar, pas zgjedhjes në këtë post tha se “pret gjuhë të përbashkët në mesin e qeverisë për vlerat evropiane të Maqedonisë, që sa më shpejt të bëhet pjesë e familjes evropiane”.
XS
SM
MD
LG