Ndërlidhjet

KFOR: Rrugë të bllokuara, potencial për dhunë


Njerëzit ende po i mbajnë rrugët e bllokuara në Rudarë, por përgjithësisht dita e sotme ka kaluar e qetë, si në vendkalimet kufitare, gjithashtu edhe kudo në veri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it Hans Uihter.

Ai ka theksuar se megjithatë ende ekziston potenciali për dhunë dhe se protestuesit vazhdojnë të mblidhen.

Pas takimit të djeshëm të komandantit të KFOR-it Erhard Byler me autoritetet serbe, nuk kanë dalur rezultatet specifike, por vetëm janë shkëmbyer mendimet dhe informatat, ka thënë Uihter, duke shtuar se për këtë tashmë janë informuar bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria në Beograd.

“Ky do të jetë fillimi i bisedimeve politike në nivelin e lartë, në javën që vjen. Ndoshta do të arrihen disa zgjidhje në nivelin e lartë politik. Ju e dini që KFOR-i nuk është institucion politik. Ne duhet t’i mbështesim njerëzit këtu, ta mbajmë ambijentin e sigurtë dhe të rrisim lirinë e lëvizjes. Ne duhet ta vërtetojmë nëse është i nevojshëm përdorimi i dhunës për ta pastruar rrugën” ka thënë Uihter.

Ai ka shtuar se KFOR-i ka pasur kompetencë që ta përdorë dhunën ditën e premte, kur rruga në Rudarë ishte bllokuar, por që , siç ka thënë ai, diçka e tillë do të rezultonte me gjakderdhje.

Ndryshe, pritet që ditën e hënë në Kosovë dhe në Serbi të qëndroj Robert Kuper, përfaqësues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

XS
SM
MD
LG