Ndërlidhjet

logo-print

Uorlik: SHBA nuk qëndronte pas aksionit të Prishtinës


Ambasadorja amerikane në Serbi Meri Uorlik ka deklaruar se qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetë aksionin për dërgimin e forcave policore në veri të Kosovës dhe jo në koordinim me komunitetin ndërkombëtar e as me SHBA-të.

“Ai vendim është marrë vetëm nga ana e Prishtinës dhe SHBA-të shprehin keqardhje për krejt atë që ka ndodhur në javën e kaluar në Kosovë”, ka thënë Meri Uorlik në një intervistë për të përditshmen Press .

Komentet e ambasadores vijnë dy ditë pasi që presidenti serb Boris Tadiq akuzoi ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell se qëndron pas aksionit të Prishtinës.

Uorlik në intervistën për të përditshmen Press ka thënë se SHBA i bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të “ulen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, e cila mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”.

E pyetur për rolin e KFOR-it dhe EULEX-it, ajo ka thënë se që të dy institucionet kanë mandate të fuqishme në Kosovë dhe se synim kanë ofrimin e paqes, stabilitetit dhe sundimin e ligjit.

E pyetur për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Uorlik ka thënë se edhe më tej mbetet optimiste, me gjithë “castet e vështira të ditëve te fundit”.

“Në plan afatgjatë është në interes të Serbisë që të gjejë një modus vivendi për themelimin e raporteve me Kosovën. Nuk shoh se cilido në BE flet se kjo cështje duhet të zgjidhet nesër apo për disa muaj” ka thënë Meri Uorlik.
XS
SM
MD
LG