Ndërlidhjet

Isufi: Serbia po bën agresion në veri


Ahmet Isufi

Ahmet Isufi

Ndërhyrja e Serbisë në veriun e Kosovës paraqet agresion që duhet dënuar, kurse zyrtarët serbë atje duhet të kapen dhe përgjigjen para ligjit, thotë nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri. Ai thotë se tërheqja eventuale e qeverisë nga vendimi për të vënë kontroll në pikat doganore do të ishte degradim më i madh sesa gjendja para ndërhyrjes.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, fillimisht, si i shihni ju zhvillimet në veriun e Kosovës dhe aksionin e ndërmarrë atje nga qeveria?

AHMET ISUFI
Menjëherë pas pavarësimit të Kosovës ne kemi kërkuar që të ndërmerren hapa në mënyrë që në veriun e Kosovës të ketë zbatim të Kushtetutës, mbajtje të rendit dhe ligjit si në gjithë territorin e Kosovës.

Kjo nuk është bërë për tri vjet me radhë dhe, edhe pse vonë, ne e kemi përkrahur menjëherë sepse konsiderojmë që këto mekanizma institucionale do të jenë gjithkund të shtrira në territor për një jetë më të mirë për qytetarët, një stabilitet dhe po ashtu zbatim të ligjit dhe rendit ashtu siç kërkon çdo rend demokratik dhe shtet funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Tani kur po kalon java e parë e këtyre masave të ndërmarra, a konsideroni se janë arritur efektet e pritura nga ana e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës?

AHMET ISUFI
Realisht është ditur që nuk është veprim i lehtë për arsye të ndërhyrjes së politikës së Beogradit në vazhdimësi me anë të instrumenteve institucional të politikës shoviniste që e ka Beogradi.

Vet prezenca e Borko Stefanoviqit dhe ministrit të ashtuquajtur për Kosovën ka treguar se ata janë të involvuar drejtpërdrejtë në rrezikimin e sigurisë së qytetarëve atje dhe po ashtu në shantazhimin dhe frikësimin e qytetarëve në veriun e Kosovës.

Veprimi i institucioneve tona ka qenë që të vihet rendi dhe ligji, të funksionoj normalisht jeta e qytetarëve dhe t’i përmbushim standardet të cilat kërkohen nga BE-ja dhe po ashtu një nga arsyet pse është dashur të bëhet një veprim i tillë është edhe raporti i progresit i cili do të kishte folur për sukseset dhe të arriturat në zbatimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë kishte disa kritika nga diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues tjerë të pranisë ndërkombëtare se këto plane, aksione nuk ishin koordinuar mirë me partnerët e jashtëm. A ishin këto zhvillime kryekëput të drejtuara nga institucionet e Kosovës?

AHMET ISUFI
Ka pasur reagime më shumë pozitive nëse iu kthehemi prononcimeve të përfaqësuesve diplomatik ndërkombëtar, siç janë stejt departamenti i cili ka qenë i përmbajtur. Është theksuar se nuk ka pasur koordinim të duhur, por në fakt nuk e ka kundërshtuar veprimin e Kosovës në veri të vendit.

Po ashtu ka pasur pëlqim nga ICO-ja, që është deklaruar zoti Feith, ambasadori francez Fitu dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, përveç ndonjë rasti kur kanë hezituar, sepse duan edhe më tutje të mbeten në cilësinë e një neutraliteti dhe kjo po e dëmton imazhin e Kosovës, sepse në një shtet të pavarur e sovran duhet të ketë përcaktim të vijës së funksionimit të rendit dhe ligjit dhe ky mision duhet të jetë përkushtim i institucioneve të cilat kanë obligime të tilla edhe para bashkësisë ndërkombëtare, por edhe para popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të nënkuptonte tërheqja nga vendimi i 25 korrikut për veriun?

AHMET ISUFI
Ne kemi kërkuar që veprimet të jenë të studiuara mirë për shkak të njohjes së realitetit në veriun e Kosovës. Të gjitha ndërmarrjet që janë në veprim duhet të jenë me strategji të përpunuar në mënyrë që të mos dalin gabime që mund të kushtojnë. Kemi kërkuar që të ketë angazhim të institucioneve atje.

Madje, konsiderojmë që çdo tërheqje një hap prapa do t’i kushtonte shumë Kosovës dhe do të bënte degradim më shumë sesa që ka qenë para kohës kur është ndërhyrë në veriun e Kosovës.

Duhet të funksionojmë si shtet dhe duhet që të gjitha ministritë e qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet të kenë programe të veçanta për veriun në mënyrë që atje të mos pretendohet vetëm sundimi i ligjit dhe mbajtja e rendit, por atje të jetë një jetë normale e qytetarëve duke investuar në atë pjesë të territorit të Kosovës, sepse pa një angazhim të plotë të qeverisë, institucioneve tjera, parlamentit dhe instrumentet institucionale e shtetërore atëherë do të kemi mangësi në veprim.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë i kemi parë serbët lokalë si edhe përfaqësuesit politikë të Beogradit të barrikadohen nëpër rrugët që shpien drejt vendkalimeve kufitare, si dhe përpjekjet e KFOR-it që di debllokoj këto rrugë. Sa mund të tensionohet situata marrë parasysh gjendjen aktuale në terren?

AHMET ISUFI
Sa i përket angazhimit të KFOR-it, mund të them se ka qenë një angazhim permanent shumë i mirë dhe angazhim në interesimin e mbrojtjes së kufirit dhe po ashtu të vendosjes së rendit dhe ligjit atje. Prandaj, duhet përgëzuar KFOR-in për veprimet e ndërmarra për obligimet të cilat i ka të parashikuara.

Tani e tutje duhet të ketë veprime konkrete të cilat janë të zbatueshme dhe që e kthejnë jetën normale në pjesën veriore të Kosovës. Ndërhyrja e Serbisë me përfaqësues të drejtpërdrejtë politik shtetëror është krejtësisht e qartë dhe e kthjellët, prandaj nuk ka të bëj me qytetarë të veriut të Kosovës, por ka të bëj me instrumente, jo sistem paralel, jo banda si po quhen, por përkundrazi funksionim dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ky mund të quhet agresion dhe si i tillë duhet dënuar. Kushdo që ilegalisht hyn ilegalisht në territorin e Kosovës duhet të kapet dhe përgjigjet para ligjit. Kushdo qoftë ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Isufi. Të gjitha këta hapa që u ndërmorën, duke u thirrur edhe në zbatimin e masave të reciprocitetit, sa në fund mund të rezultojnë me fillimin e zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës, marrë parasysh gjendjen faktike në këtë pjesë që nga mbarimi i luftës e këndej?

AHMET ISUFI
Çdo shtet zbaton politikat e veta në mënyrë që të mund të funksionojë si shtet. Ne besojmë që Kosova mund të funksionoj si e tërë. Kushtetuta mund të zbatohet. Rendi dhe ligji mund të jenë pjesë e funksionimit në gjithë territorin.

Por, kjo mund të bëhet ashtu si e thashë: qeveria dhe çdo ministri, çdo institucion dhe agjenci të ndryshme duhet të kenë programe konkrete për investime në veriun e Kosovës.

Duke investuar në të gjitha sferat e jetës në ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë dhe të gjitha mënyrat e funksionimit institucional atëherë ne themi edhe po investojmë në vendin tonë, por po ashtu ndihmon që serbët e mashtruar dhe ata që janë nën presion t’i kthehen shtetit të tyre dhe ta pranojnë realitetin e ri.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG