Ndërlidhjet

Alternativë në sigurimin e barnave


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar, se masat e reciprocitetit nuk do të ndikojnë në mungesë barnash. Sipas tyre, janë gjetur alternative tjera të furnizimit me barna, kryesisht të listës esenciale, dhe Kosova nuk do të ketë mungesë ilaçesh.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të ndikojë në furnizim me barna .

Ministri Agani, thotë për Radio Evropa e Lirë se nuk do të ketë asnjë pasojë lidhur me këtë çështje.

Në bazë të vlerësimeve tona, situata e zbatimit të reciprocitetit të plotë me rastin e importit të mallrave me shtetin e Serbisë, nuk do të ndikojë në furnizimin e popullatës me barna, e veçanërisht me barna të listës esenciale, ato që edhe janë më të rëndësishmet”, thotë Agani.

Por farmacistët në vend thonë se tashmë ka filluar të ndjehet mungesa e disa barnave.

Mirjeta Halili, farmaciste, thotë se mungesa e barnave serbe është evidente dhe zëvendësimet e atyre barnave me barna tjera po u shkaktojnë konfuzione pacientëve.

“Po ka mungesë të barnave, pacientët që janë mësuar me barna të Serbisë, ata i kërkojnë vetëm ato. Një pjesë e barnave zëvendësohen, por disa jo, derisa pacientët i kërkojnë vetëm ato barna. Mungesë ka mjaft”, shprehet ajo.

E Bekim Fusha, drejtor i departamentit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se institucioni në fjalë, ka vetëm një kontratë të nënshkruar me shtetin serb, kontratë e cila përmban tre artikuj mjaft të nevojshëm.

Por sipas zotit Fusha, tashmë është bërë zgjidhja e furnizimit me kompani tjera për të njëjtat ilaçe.

Ministria e shëndetësisë e ka një kontratë me Serbinë, derisa janë të përfshirë 3 artikuj, infuzionet, glukoza dhe tretjet fiziologjike. Mungesa e tyre nuk do të ndihet shumë, sepse jemi përgatitur dhe kemi siguruar mënyra tjera për furnizim. Në fillim mund të ketë pengesa minimale, por në ndërkohë kemi siguruar mënyra tjera të furnizimit”, bën të ditur Fusha.

E sipas ministrit Agani, institucioni që ai udhëheqë, ka nënshkruar disa kontrata me përfaqësues të kompanive të huaja, e që të njëjtat kompani, në ndërkohë, kanë hyrë në partneritete me firma serbe, dhe si të tilla, kanë arritur që të sigurojnë kontrata me Kosovën dhe të sigurojnë gjitha barnat e nevojshme që i mungojnë Kosovës.

Sipas vlerësimeve tona, ne nuk do të kemi ndonjë pasojë, pra do të kemi në dispozicion barna të mjaftueshme dhe do të gjejmë zgjidhje për çdo situatë lidhur me furnizimin me barna”, thekson Agani.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG