Ndërlidhjet

logo-print
Vetëm dhjetë ditë pas bllokimit të mallrave serbe, janë shtuar këmbimet tregtare me vendet tjera të rajonit dhe të Evropës, thonë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre e Kosovës, njëherësh Ministre e
Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia tashmë kanë shprehur interesim për të shtuar numrin e produkteve të tyre në tregun kosovar.

Ka filluar të vërehen këmbime të mëdha tregtare me kompanitë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa, interesim shumë të madh kanë shprehur edhe kompanitë nga Turqia. Gjegjësisht, ditëve të fundit kemi pasur disa vizita nga përfaqësues të kompanive turke, të cilët kanë ardhur të shohin specifikat e produkteve të cilat duhet të zëvendësohen në tregun e Kosovës, gjegjësisht produkteve të cilat janë importuar më herët nga Serbia”, thotë Kusari – Lila.

Se tregu i Kosovës është bërë atraktiv për vendet rajonale dhe ato evropiane, thotë edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.

Shahini, vlerëson se me një përqindje të madhe nga Serbia, tregu kosovar është mbuluar më prodhime ushqimore dhe ato ndërtimore, mallra këto, që sipas tij, shumë lehtë do të zëvendësohen nga shteti i Shqipërisë, Maqedonisë, Turisë por edhe Bullgarisë.

Tashmë tregu i Kosovës, edhe pse i vogël nga kapaciteti konsumues, është bërë interesant për të gjitha shtete rajonale, por edhe ato evropiane. Sektori i ndërtimtarisë më se shumti është goditur nga parimi i reciprocitetit. Sepse Serbia e ka pasur një treg të sektorit të ndërtimtarisë më një përqindje më të madhe se sa vendet tjera, por këto mund të zëvendësohen qoftë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe shtete e tjera”, shprehet Shahini.

Me rritjen e këmbimeve tregtare më vendet e rajonit, është zvogëluar kontrabanda, thotë zëvendës kryeministrja Mimoza Kusari- Lila.

Kurse, mallrat e kompanive të shteteve tjera, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun kosovarë, nuk do të jenë më çmime më të larta, se ato serbe, shprehet Kusari- Lila.

Jo në asnjë mënyrë, sepse shumica prej tyre janë duke shikuar që t’i kenë me ato çmime të tregut, apo edhe më të ulëta, në mënyrë që të kenë periudhë promovuese, në mënyrë që t’i kthejnë konsumatorët”.

Por, ne si qeveri, shpresojmë që këtë hapësirë të siguruar në treg, ta shfrytëzojnë edhe kompanitë kosovare. Disa kompani na kanë informuar që kanë kërkesë shumë të madhe për produktet e tyre, sidomos ato ushqimore. Dhe vërehet një entuziazëm gjegjësisht të kompanitë prodhuese për mundësitë e krijuara” thotë Kusari- Lila.

Por, Agim Shahini, nuk është optimist se nuk do të ketë ngritje çmimesh.

Sepse, sipas tij, kompanitë serbe nuk kanë paguar taksë doganore, ndërsa prodhimet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, është dashur të paguajnë taksë doganore 10 për qind.

Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë Shahini, i rekomandon qeverise që përkohësisht ta heq këtë taksë për prodhimet esenciale, në mënyrë, siç thotë ai, konsumatorët mos të ndjejnë ngritje të çmimeve.

Kosova duhet të jetë e hapur për të gjitha, por mbi të gjitha duhet të krijojë politika të njëjta, ashtu siç ka pasur edhe politika avancuese për prodhimet e Serbisë deri më tani. Sepse prodhimet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili është partneri i parë i Kosovës, sa i përket importit, ka pasur doganën 10 për qind, ndërsa Serbia e ka pas doganën zero për qind”, shprehet Shahini.

Kosova tash ka në funksion masat e reciprocitetit tregtar me Serbinë, ndërsa për Bosnjë Hercegovinën ka vendosur taksë doganore prej 10 për qind.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG