Ndërlidhjet

Afati i fundit për të shmangur dështimin

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA, Barak Obama

Presidenti i SHBA, Barak Obama

Demokratët dhe Republikanët kanë arritur marrëveshjen e kompromisit për të shmangur dështimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të paguar borxhin. Por plani, i bërë publik nga presidenti Barak Obama, duhet të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se demokratët dhe republikanët në Kongres kanë arritur marrëveshjen për të parandaluar moslikuidimin e borxhit - çfarë do të ishte dështimi i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja duhet të miratohet nga ligjvënësit e të dyja dhomave të Kongresit – Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve. Ligjvënësit janë përballë afatit të fundit, që është mesnata e dy gushtit. Në të kundërtën, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të paguajnë të gjitha faturat, çfarë do të ndikonte edhe në tregjet globale.

Ende priten disa vota shumë të rëndësishme nga anëtarët e Kongresit, por unë dua të njoftoj se liderët e të dyja partive në të dyja dhomat kanë arritur marrëveshjen që do të zvogëlojë deficitin dhe do të shmangë moslikuidimin – moslikuidim ky që do të kishte një efekt shkatërrues në ekonominë tonë”, tha Obama.

Marrëveshja e minutës së fundit do të rrisë nivelin e huamarrjes amerikane nga 14.3 trilionë dollarë, sa është aktualisht, në të paktën 16.4 trilionë – një hap i nevojshëm ky për të lejuar Uashingtonin t’i paguajë të gjitha faturat dhe të shmangë moslikuidimin e borxheve.

Marrëveshja kërkon që rreth 2.4 trilionë dollarë të shkurtohen nga deficiti i borxhit të Shteteve të Bashkuara gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm. Ajo po ashtu bën thirrje për krijimin e një komiteti të Kongresit për të gjetur 1.5 trilion dollarë shkurtime përmes reformës së taksave dhe masave të tjera të reduktimit të deficitit.

Por, marrëveshja mund të përballet me kundërshtime të ashpra në Dhomën e Përfaqësuesve, ku mbështetësit e lëvizjes konservatore Tea Party dhe ligjvënësit liberalë kanë shprehur pakënaqësi me të.

Lideri demokrat i Senatit, Heri Reid, tha se marrëveshja është ajo për çfarë populli amerikan ka bërë thirrje.

Unë e di se kjo marrëveshje nuk do ta bëjë çdo republikan të lumtur. Sigurisht se nuk do ta bëjë as çdo demokrat të lumtur. Të dyja palët kanë dhënë më shumë se dëshironin dhe asnjëra nuk mori aq sa shpresonte. Mirëpo, kjo është esenca e kompromisit, e ndërtimit të konsensusit. Populli amerikan kërkoi kompromis këtë javë dhe e fitoi atë”, tha Reid.

Lideri i pakicës në Senat, republikani Miç Mekonëll, tha se marrëveshja duhet të sigurojë tregjet financiare globale për stabilitetin e bonove të Qeverisë amerikane.

Ne mund të sigurojmë popullin amerikan se Shtetet e Bashkura të Amerikës nuk do të dështojnë për herë të parë në histori në kryerjen e obligimeve”, tha Mekonëll.

Përmes një deklarate të shkurtër, Obama u bëri thirrje ligjvënësve demokratë dhe republikanë të miratojnë marrëveshjen.

Nuk kemi mbaruar ende. Dua të nxis anëtarët e të dyja partive të bëjnë gjënë e duhur dhe ta mbështesin këtë marrëveshje me votat e tyre gjatë ditëve të ardhshme. Kjo do të na lejonte të shmangim moslikuidimin. Kjo do të na lejonte të paguanim faturat. Kjo do të na lejonte të fillojmë reduktimin e deficitit tonë në mënyrë të duhur. Dhe, kjo do të na lejonte të kthehemi te një biznes shumë i rëndësishëm i të bërit gjithçka për krijimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe rritjen e kësaj ekonomie më shpejt se që po rritet aktualisht”, tha Obama.

Shkurtimet në shpenzimet e qeverisë do të ndodhin me faza gjatë dekadës së ardhshme. Mijëra programe – Shërbimi Park, Shërbimi i të Hyrave të Brendshme dhe llogaritë e Departamentit të Punës në mesin e tyre – mund të rregullohen në nivelet që janë parë vite më parë.

Sistemi i pensioneve dhe ai i kujdesit shëndetësor nuk janë paraparë të preken. Ndërsa, programet e tjera do të shtrëngohen mirë për kursimet. Edhe taksat do të mund të rriten.

Ndonëse nuk është caktuar koha për votimin, Senati pritet të votojë planin i pari, për t’u pasuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG