Ndërlidhjet

Senati miraton legjislaturën për borxhin

  • RFE /RL

Senati gjatë votimit...

Senati gjatë votimit...

Senati amerikan ka miratuar me shumicë votash legjislaturën për rritjen e kufirit të borxhit të Shteteve të Bashkuara. Për këtë legjislaturë votuan 74 senatorë, ndërsa kundër saj ishin 26.

Kjo legjislaturë, mbrëmë vonë, u miratua edhe në Dhomën Përfaqësuese.

Ligjëvënësit amerikanë ballafaqoheshin me afatin kohor deri sonte në mesnatë, sipas kohës amerikane, për miratimin e këtij ligji, ngase, siç kanë thënë ekspertët, Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të fillonte të përballej me mungesë të parave për pagesën e faturave të saj, potencialisht duke shkaktuar trazirë të re në ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe në ato globale, që ende po ripërtërihen nga kriza.

Amerikanët po ashtu do të mbeteshin me kamata të larta dhe monedhë të dobësuar.

Presidenti Barak Obama e ka mirëpritur miratimin e legjislaturës në Kongresin amerikan.

"Kongresi ka miratuar tashmë një kompromis për të reduktuar deficitin dhe për të shmangur moslikudimin që do të shkatërronte ekonominë tonë. Ishte një debat i gjatë dhe unë dua të falënderoj popullin amerikan për presionin ndaj zyrtarëve të tyre të zgjedhur, për të lënë mënjanë politikën dhe për të punuar së bashku në të mirën e vendit", tha presidenti Obama, i cili e nënshkroi këtë masë, duke e shndërruar në ligj.

Më herët, liderja demokrate e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Nensi Pelosi, tha se ajo “nuk ishte e kënaqur” me marrëveshjen e arritur, por do të votonte për këtë legjislaturë për shkak të rrezikut për falimentim të mundshëm.

“Është vështirë të besohet se ne po e bëjmë hapin më të mirë përpara me legjislacionin që e kemi para nesh. Nuk jam e kënaqur me të, por jam krenare me disa të arritura që i përmban. Dhe, për këtë arsye, unë do të votoj për këtë legjislaturë”, tha Pelosi.

Disa minuta para se të miratohej ligjislacioni, anëtarja e Partisë Demokratike në Dhomën Përfaqësuese, Gabriell Gifords, e bëri një “paraqitje dramatike” në Dhomë - paraqitje kjo që u përshëndet me duartrokitje.

Ishte kjo paraqitja e parë e zonjës Gifords në Kongres prej plagosjes së rëndë që kishte pësuar gjatë takimit me mbështetësit e saj në muajin janar, në një qendër tregtare në Takson të Arizonës.

Prej asaj kohe ajo kishte kaluar nëpër mjekim dhe rehabilitim, pasi ishte qëlluar nga e shtëna që e kishte goditur edhe trurin e saj.

Ajo ishte e prekur nga pritja e ngrohtë nga kolegët e saj, ndërsa i përshëndeste ata me dorën e ngritur.

Sipas propoozimit, i cili tashmë u miratua në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, kufiri i borxhit do të rritet për 2400 miliardë dollarë, ndërsa shkurtimet në shpenzime, në shumë prej 2100 miliardë dollarësh, do të imponohen gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Kjo legjislaturë kishte nxitur debat të nxehtë ndërmjet partive; demokratët ishin kundër imponimit të shkurtimeve në shpenzime pa i rritur taksat ndaj të pasurve dhe korporatave të mëdha, ndërsa republikanët kundërshtonin rritjen e taksave. (f.b.)
XS
SM
MD
LG