Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Pikat 1 dhe 31, ekzistenciale për Kosovën


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Prishtina zyrtare ia ka bërë edhe një herë të qartë ndërmjetësuesit evropian në bisedimet me Serbinë vijat e saj të kuqe në dialog, tha të martën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Çështja e pikave doganore 1 dhe 31 në veri, sipas tij, është ekzistenciale për shtetin e Kosovës. Serbët e veriut, ndërkaq, u shprehën të vendosur për vazhdimin e bllokadave rrugore nëpër disa pika në veri deri në, siç thanë ata, rikthimin e situatës në gjendjen e mëparshme.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se edhe pas zhvillimeve te fundit në veri të Mitrovicës, nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen status-quo.

Ai tha se në takimin me ndërmjetësin evropian, Robert Kuper, Prishtina zyrtare i ka bërë edhe një herë të qarta vijat e saj të kuqe në dialog me Beogradin: respektimin e Kushtetutës së Kosovës, të rezolutës së Kuvendit për bisedime dhe respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit territorial të vendit.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se çështja e pikave doganore 1 dhe 31 është ekzistenciale për Kosovën.

Ndoshta për Serbinë çështja e pikës 1 dhe 31, por edhe ajo në veri të Kosovës, është çështje politike dhe elektorale. Por, e kemi prezantuar qartë qëndrimin e shtetit të Kosovës edhe në takimin me zotin Kuper, se për Kosovën është çështje ekzistenciale, nacionale dhe e respektimit të plotë të sovranitetit, integritetit territorial, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha ai në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës.

Thaçi hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe tha se hapja e kësaj teme do të nënkuptonte hapjen e çështjes së kufijve në tërë rajonin.

Kryeministri Thaçi bëri të ditur se në takimin me zotin Kuper, Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për integrimet evropiane, mirëpo ky përkushtim, sipas tij, nuk mund të realizohet përderisa Kosova nuk ka një agjendë të qartë evropiane nga Brukseli zyrtar.

“Ne duhet t’iu besojmë realiteteve dhe jo vetëm fjalëve të thata të perspektivës evropiane. Për Kosovën ka nevojë dhe duhet të ketë agjendë të qartë evropiane”, theksoi Thaçi.

Takime me ndërmjetësuesin evropian, Kuper, ka zhvilluar të hënën edhe delegacioni serb në bisedime me Prishtinën. Shefi i këtij delegacioni, Borisllav Stefanoviq, tha se nga këto bisedime dhe përmes dialogut mund të zgjidhet situata aktuale në veri.

Stefanoviq në Rudarë.

“Sot pasdite presim informata lidhur me atë që kemi kërkuar dje. Marrëveshjet do t’i zgjidhin problemet. Nëse nuk duan marrëveshje, atëherë duhet t’i shtyjmë që në mënyrë paqësore të arrijmë marrëveshje”, tha Stefanoviq gjatë qëndrimit në një bllokadë rrugore të serbëve lokalë në Rudarë, në veri të Kosovës.

Këta të fundit, ndërkaq, shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar bllokadën si shenjë proteste me kërkesën për kthimin e situatës në, siç thuhet, gjendjen e mëparshme.

Njëri nga protestuesit serb, Dragisha Novakoviq, tha:

“Ne po qëndrojmë në bllokada, po e ruajmë atë që është e jona. Nuk do të largohemi nga këtu kurrë. Pavarësisht nga të gjitha, ne do të qëndrojmë deri në fund në bllokada”.

Arsye të ngjashme për protestën dha një tjetër serb - Ivan Smikiq:

“Ne vetëm po protestojmë qetësisht dhe e përkrahim ekipin tonë të bisedimeve. Nëse ata po i shpallin si cuba, atëherë ne jemi mbështetësit e tyre”, tha Smikiq.

Pavarësisht kundërshtimit të serbëve, sipas ekspertit për siguri, Ramadan Qehaja, Prishtina zyrtare duhet ta mbajë ritmin e veprimeve në veri të vendit dhe të jetë e gatshme për çdo eventualitet.

“Fjala është për vazhdim të aksionit që e ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës atje në sferën e sigurisë, vetëm e vetëm për të vënë rend dhe ligj në atë pjesë të territorit. Unë mendoj se vetëm kështu duhet të shkohet, sepse nëse kemi zmbrapsje nga ajo që kemi bërë atje dhe e lëmë këtë punë në gjysmë, atëherë konsekuencat do të jenë shumë të rënda”, vlerësoi ai.

Mësohet që, gjatë ditës, KFOR-i i ka kërkuar NATO-s trupa shtesë për të menaxhuar situatën në veri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG