Ndërlidhjet

logo-print

Lamtumirë gjeneralëve!

  • RFE /RL

Rexhep Taip Erdogan, kryeministër i Turqisë...

Rexhep Taip Erdogan, kryeministër i Turqisë...

Pafuqia e ushtrisë turke u demonstrua më 29 korrik, kur katër komandantët e lartë të saj, përfshirë shefin e shtabit, gjeneralin Isik Kosaner, dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj paraburgimit të 250 oficerëve – të akuzuar për komplot ndaj qeverisë së kryeministrit Rexhep Taip Erdogan.

Kosaner, i cili u largua së bashku me krerët e forcave tokësore, detare dhe ajrore, shprehu ndjenjën e pafuqisë në deklaratën e dorëheqjes:

"Është bërë e pamundur për mua të vazhdoj në këtë pozitë të lartë, sepse nuk jam në gjendje të përmbush përgjegjësinë time për të mbrojtur të drejtat e personelit tim si shef i shtabit të përgjithshëm”, tha ai.

Dhembja më e madhe e tij është prezenca në burg e 173 ushtarakëve në detyrë dhe 77 të tjerëve në pension – kryesisht nën akuzat për përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Erdogan.

Partia dhe mbështetësit e saj kanë përshëndetur arrestimet dhe dorëheqjet e fundit, si hapa thelbësorë në konsolidimin e demokracisë në një vend që ka parë katër qeveri të largohen nga ushtria në periudhën 1960-1997.

Mensur Akgun, analist politik pranë Universitetit Kultur të Stambollit, argumenton se ushtria e ka sjellë veten në telash, duke supozuar se ka të drejtë të ndërhyjë në politikë, si më parë.

Ushtria ka bërë gabime të mëdha dhe ajo nuk e fshihte atë që donte ta bënte. Ka pasur disa raste gjyqësore në Turqi në lidhje me përpjekjet për grusht-shtet dhe aventura të tjera të mundshme, që disa ushtarakë po i hartonin dukshëm. Dhe, një gjë e tillë ka krijuar kundërshtimin publik ndaj përfshirjes së mëtejme ushtarake në politikë”, thotë Akgun.

Megjithatë, supozimi për fajin e ushtrisë dhe, së bashku me të, besimi se Turqia po demokratizohet, janë çështje mjaft të diskutueshme.

Pavarësisht rreth 700 arrestimeve, askush nuk është dënuar ende nga “rasti i Egenekonit”, që përfshin oficerë aktivë dhe në pension, gazetarë, avokatë, të majtë dhe nacionalistë të vijës së ashpër, të akuzuar për komplot grusht-shteti.

Në fakt, mungesa e dënimeve në “rastin Ergenekon” duket e habitshme, meqë kanë kaluar mbi katër vjet nga hetimet e para që zbuluan “komplotin e dyshuar”.

Kritikët thonë se hetimet janë ta bazuara në akuza të bujshme dhe prova të fabrikuara. Gareth Jenkins, specialist për çështjet e sigurisë në Stamboll, thotë se policia ka “mbjellë prova mbi oficerët e ushtrisë”.

Gjykata është dashur të lirojë një lejtënant të ri muajin e kaluar, pasi ai dëshmoi se policia ka mbjellë prova inkriminuese në shtëpinë e tij. Por, natyrisht, nuk janë marrë masa ndaj policit dhe kjo është me të vërtetë arsyeja përse ka frustrim të tillë brenda komandës së lartë ushtarake. Ky është një autoritarizëm në rritje dhe Turqia, për fat të keq, po shkon shumë larg nga demokracia në këtë moment”, thotë Jenkins.

Ky qëndrim ka bërë jehonë nga partia kryesore opozitare – Partia Popullore Republikane, e themeluar nga Ataturku.

Nënpresidentja e grupit parlamentar të partisë, Emine Ulker Tarhan, u tha gazetarëve më 30 korrik se “Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e konsideron çdo kundërshtim me pushtetin e saj si terrorist apo të paligjshëm”.

Kritikët thonë se qëllimi i vërtetë është të dobësohen dhe të frikësohen kundërshtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, duke rritur fuqinë e Erdoganit. Kryeministri, një ish-islamist, i cili planifikon të ndryshojë Kushtetutën e Turqisë, besohet se po kërkon të miratojë “sistemin presidencial”, ku ai do të bëhej kreu i shtetit.

Erdogan ka premtuar se do të kërkojë “konsensus” në përpjekjet e tij për të ndryshuar Kushtetutën që ai e quan jodemokratike, meqë është hartuar nën kujdesin ushtarak. Por, dyshimet vazhdojnë se ai ka në plan të mbushë gjykatat me gjyqtarë të partisë së tij. Një gjë e tillë do të mund t’i bënte më të lehta dënimet për komplotuesit e shtetit.

Jenkins hedh poshtë këmbënguljen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim se qëllimi i saj është thjesht për të hequr ushtrinë nga politika. Sipas tij, ndikimi politik i ushtrisë ka qenë në rënie për vite të tëra dhe pothuajse nuk ekziston fare që nga viti 2007, kur qeveria mposhti përpjekjet për të bllokuar emërimin e Abdullah Gylit si president, për shkak të së kaluarës së tij islamike.

Kjo epokë ka mbaruar disa vite më parë, por ajo çfarë bëjnë mbështetësit e qeverisë është se po marrin hak ndaj ushtrisë si institucion, për gjërat që kanë ndodhur një dekadë apo 30-40 vjet më herët. Dhe, ata bëjnë përpjekje që t’i paraqesin të gjitha ato si mjete të nevojshme për demokratizimin e vendit”, thotë Jenkins.

Ofensiva kundër ushtrisë, shton ai, nuk duhet të shihet si hap i izoluar.

Mendoj se duhet ta merrni këtë në kontekstin e saj më të gjerë, ku keni një shtyp shumë të frikësuar, ku keni gjoba të gazetave që kritikojnë qeverinë… Ajo çfarë po ndodh me ushtrinë është një tjetër shenjë e rritjes së përgjithshme në autoritarizmin që po zhvillohet në Turqi”, thotë Jenkins.

Por, Akgun beson se ushtria ruan ende potencialin për të ndërhyrë në politikat turke.

Ne nuk jemi të përsosur në aspektin e lirisë së shprehjes dhe në aspektin e periudhave të gjata në paraburgim. Ka disa mangësi dhe nëse duam t’i heqim qafe të gjitha ato, duhet të kemi një kushtetutë shumë më demokratike se tani. Nëse mund të zgjidhim problemin kurd dhe problemet e tjera me fqinjët tanë, atëherë do të zvogëlohej roli i ushtrisë; roli i saj politik në vend, do të zvogëlohej automatikisht”, thotë Akgun. (v.t.)
XS
SM
MD
LG