Ndërlidhjet

S'ka më status-quo!


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica

Prishtina zyrtare ka pritur gjatë që bashkësia ndërkombëtare, misioni i NATO-s apo misioni i EULEX-it, të ndërhyjnë në veri të Kosovës sipas përshkrimit të misioneve të tyre, prandaj ajo ka reaguar dhe tashmë gurët janë lëvizur, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, thotë se pas aksionit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, më 25 korrik, që ishte urdhëruar nga Qeveria e Kosovës, tashmë kemi një situatë të re, e cila është sfiduese për të gjithë faktorët që janë relevantë në këtë situatë.

Sipas tij, deri më tash, të gjithë faktorët kanë thënë se pjesa veriore, ku së fundmi janë ngritur tensionet, i takon Kosovës, por asgjë nuk kanë bërë që të sqarohet situata atje.

Mendoj se, tash, me këtë aksionin, fillimisht të Qeverisë së Kosovës, dërgimin e forcave speciale atje, dhe pastaj aktivitetet e KFOR-it, situata ka ndryshuar njëfarë dore dhe po tentohet që të vendoset një lloj kontrolli dhe të caktohen kufijtë e Kosovës. Për çudi, ose edhe ashtu është pritur, EULEX-i tërë kohën ka mbetur neutral rreth kësaj çështje edhe pse paksa e ka kundërshtuar. Nuk ka bërë asnjë veprim, fundja edhe pse i ka takuar”, thotë Maliqi.

Maliqi ka theksuar se Bashkimi Evropian, meqë ka marrë përgjegjësinë e dërgimit të misionit të EULEX-it, duhet të kontribuojë për vendosjen e ligjshmërisë dhe të tërësisë territoriale të Kosovës.

Por, sipas tij, nuk mund ta bëjë këtë, për shkak të kundërshtive të 5 vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë se për Qeverinë e Kosovës ka qenë momenti i fundit dhe i është dashur që të ndërhyjë dhe ta kthej çështjen e veriut të vendit, si çështje legale dhe kushtetuese.

Lidhur me këtë çështje, sipas tij, është arritur pajtueshmëri me të gjitha partitë politike, por edhe me shoqërinë kosovare.

Derisa ndërhyrja, operacioni i 25 korrikut e ka lëvizë në kuptimin pozitiv KFOR-in, i ka shtyrë të mendojnë edhe në Brukselin zyrtarë se objektivisht BE-ja duhet të marrë një rol shumë më aktiv në Kosovë se sa deri më sot. Ndërkaq, karshi me Serbinë, unë mendoj se kjo prani dhe këto sulme diversante të Beogradit zyrtarë në integritetin dhe pavarësinë e Kosovës, janë për të fituar një pozicion më të favorshëm në bisedimet me Prishtinën zyrtare”, sqaron Matoshi.

Edhe analisti Maliqi vlerëson se e gjithë kjo situatë e krijuar do ta vë në lëvizje Bashkimin Evropian për t’ju qasur më drejtë çështjes së veriut të Kosovës.

Nuk mund të jetë ajo krejtësisht neutrale deri në fund, por duhet të shikojë që të bëj presion më të madh në Serbinë që të tërheqë ndikimin në veri. Të paktën, të lejojë që këto dy pikat kufitare, të veprojnë ashtu siç veprojnë në vendkalimet tjera kufitare, si në Merdarë apo atje te Presheva e Bujanovci. Mendoj se do të ketë një lloj lëvizje, por nga ana tjetër e kemi edhe mobilizimin e serbëve dhe shumë gjëra varen edhe prej qëndrimit të Beogradit zyrtarë”, shprehet Maliqi.

Maliqi thotë se Beogradi do të gjendet para dilemës, a duan kandidimin për Bashkimin Evropian apo dëshirojnë ta mbajnë situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, këtë dilemë Beogradi duhet ta zgjidhë shpejt.

Ndërkaq, analisti Matoshi, pret që bashkësia ndërkombëtare të jetë më dinamike lidhur me zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe situatës së krijuar atje.

Po unë mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Brukseli zyrtar ka gjasa që të lëvizë më fuqishëm drejt shtensionimit të situatës. Por, edhe Prishtina zyrtare mendoj se duhet të këndellet dhe ta ri-mendojë, ta ketë një platformë të qartë të asaj se për çka po bisedohet me Serbinë dhe cilat janë favoret e saj. Definitivisht, Prishtina duhet të kthehet kah vetvetja dhe ti shikojë punët e veta, me kusht që mos t’i harrojë funksionalitetin e shtetit, demokracinë dhe liritë civile”, thotë ai.

Ndryshe, Matoshi ka theksuar se Prishtina zyrtare duhet që përfundimisht të angazhohet që të ndalë krimin e organizuar dhe korrupsionin në pjesën tjetër të vendit, në mënyrë që ta ketë më të lehtë integrimin e veriut të vendit.
XS
SM
MD
LG