Ndërlidhjet

Në vitin 2007, Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes se Tregtisë se Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur më shkurtesën CEFTA.

Në atë kohë, për shkak se Kosova ende nuk kishte të zgjedhur statusin, marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joakym Ryker.

CEFTA, ishte krijuar më qëllim të thellimit të integrimit ekonomik më vendet e Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, para anëtarësimit të vendit në CEFTA, Kosova kishte nënshkruar marrëveshje bilaterale të tregtisë se lirë më Shqipërinë, në vitin 2003, Maqedoninë 2005, më Kroacinë dhe Bosnjën në vitin 2006.

Të gjitha këto marrëveshje u avancuan dhe u unifikuan në CEFTA.

Hyrja në këtë mekanizëm atëbotë, ishte mirëpritur nga institucionet e atëhershme të Kosovës.

Bujar Dugolli, ish ministër i Tregtisë dhe Industrisë në kohën e anëtarësimit të Kosovës në CEFTA, thotë se pas presioneve nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia dhe Bosnja pranuan që edhe Kosova të jetë anëtare e kësaj marrëveshjeje.

Dugolli, kujton përfitimet e pritura nga funksionalizimi i kësaj marrëveshjeje.

Nuk mund të pritej që menjëherë të ketë përfitime të mëdha ekonomike. Por, bizneseve iu është hapur rruga që në ato shtete që nuk i kanë bërë problem politik edhe në atë kohë, si Serbia dhe Bosnja. Por në shtetet tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci ka mundur të eksportojë. Ka eksportuar edhe në Serbi deri në fund të 2007, por pas shpalljes se pavarësisë u shfaqen problemet politike”, tha Dugolli.

Por, shtatë muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Ndërsa autoritetet shtetërore të Kosovës, në muajin nëntor të këtij viti, ndërruan edhe vulat doganore nga ato të UNMIK-ut, në Vula Doganore të Kosovës.

Ndërrimi i vulave shërbeu si shkak për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, shtete këto që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës se Kosovës, të bllokojnë produktet kosovare.

Produktet më këtë vulë, që nga 3 dhjetori i vitit 2008, nuk janë lejuar as transit të kalojnë nëpër këto shtete.

Serbia njeh ende si autoritet legal në Kosovë UNMIK-un, ndërsa bazë legale Rezolutën 12 44.

Këtu lindën edhe paqartësitë e zbatimit, apo mos zbatimit të CEFTA-s, sepse, për këto dy shtete, ndërrimi i vulave nënkuptonte si shkelje të marrëveshjes.

Por, autoritetet kosovare vazhdimisht përsëritnin qëndrimin e tyre se ndërrimi i vulave nuk ishte në kundërshtim më rezolutën 12 44.

Megjithatë, nga kjo, humbje pësuan bizneset kosovare.

Kompanitë vendore u detyruan që të gjejnë rrugë alternative që produktet e tyre t’i eksportojnë në këto dy shtete.

Por me këtë vendim, ishte rritur edhe kostoja e shpenzimeve për kompaninë vendore.

Lidhur më këtë, Agim Shahini, përfaqësues i komunitetit të biznesit, thotë se humbjet e bizneseve gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë të mëdha.

Që nga viti 2009 e deri më 30 qershor të këtij viti, sipas një hulumtimi të Aleancës se Biznesit, Kosova për shkak të mos qasjes në tregun e Serbisë dhe Bosnjës, ka humbur 40 milion euro eksport të prodhuesve vendorë”, tha Shahini.

Që nga ajo kohë, përfaqësues të komunitetit të biznesit, opozitës, por edhe shoqërisë civile, vazhdimisht kërkonin nga autoritet kosovare që reciprociteti të jetë masë finale ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Në vitet e mos zbatimit të CEFTA-s, në Kosovë janë importuar mallra nga Serbia në vlerë prej rreth 400 milion eurosh në vit.

Për derisa kompanitë vendore, për gati tri vite numëronin humbjet nga bllokimi i produkteve, Serbia numëronte përfitimet nga tregu kosovar.

Autoritetet kosovare bënin përpjekje përmes faktorit ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhej.

Shpresa e vetme që kishte mbetur në zgjidhjen e këtij problemi, ishte pikërisht viti 2011, kur Kosova kishte radhën që të udhëheq këtë mekanizëm, e që presidencën e radhës e mori pikërisht nga shteti i Serbisë.

Pa asnjë zhurmë, pa ndonjë ceremoni zyrtare, Kosova këtë vit, që nga 1 janari, mori nën menaxhim CEFTA-n.

Përveç një takimi që është mbajtur në Bruksel, muajin e kaluar takimi është mbajtur edhe në Prishtinë.

Edhe pse takimi është mbajtur më dyer të mbyllura, dhe siç thuhet, pa simbole shtetërore, thuhet se kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Serbisë, por që nuk është diskutuar çështja e embargos se produkteve “Made in Kosova”.

Ndryshe, me 8 mars të po këtij viti, Kosova dhe Serbia filluan bisedimet e para që nga shpallja e pavarësisë se Kosovës.

Gjatë këtyre diskutimeve, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen edhe më vulat e Kosovës dhe CEFTA-n, por që nuk është raportuar për ndonjë marrëveshje konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve:

Fakti që nuk është arritur ndonjë marrëveshje për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut më Serbinë, në Bruksel, e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës, që më 20 korrik të këtij viti të zbatojë masat e reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjën dhe Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, tha për Radion Evropa e Lirë, se këto masa nuk janë marrë në kuptimin politik, por për arsye ekonomike, pasi Kosova ka humbur shumë nga embargo që i kishte vënë Serbia produkteve kosovare.

Serbia, thotë ajo, vetëm gjatë një dite, deri në një milion euro ka futur mallra në tregun e Kosovës.

Në të njëjtën kohë Kosova bën presion dhe tregon se nuk mund të jetë gjithmonë ajo pala që humb, por në këtë rast të vendoset parimi i reciprocitetit si bazë e të gjitha marrëveshjet tjera. Dhe Serbia, të marr më seriozisht një vend, ku ka shitë mallrat në vlerë, siç vlerësohet nga ata vetë, 400 milion euro ose një milion euro në ditë mallra që kanë ardhur ose kanë depërtuar nga Serbia në tregun e Kosovës”, tha Kusari – Lila.

Parimi i reciprocitetit menjëherë ka filluar të zbatohet në të gjitha pikat kufitare.

Por, gjendja është tensionuar më shumë në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky i banuar më shumicë serbe.

Pasi autoritetet kosovare, edhe 12 vite pas përfundimit të luftës, nuk kishin arritur që të vënë në funksion rendin dhe ligjin, duke i lënë hapësirë veprimi strukturave paralele dhe grupeve kriminale.

Pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në Jarinë dhe Bërnjak, vazhdimisht janë shfrytëzuar për futjen e produkteve serbe në Kosovë, si në mënyrë legale po ashtu edhe ilegale.

Këto pika madje janë djegur nga serbët lokal në vitin 2008, si hakmarrje ndaj shpalljes se pavarësisë se Kosovës.

Që atëherë në ato pika nuk kanë qenë të pranishëm doganierët kosovarë, por vetëm pjesëtarë të EULEX-it.

Vendosmëria e ekzekutivit të vendit, për zbatim të reciprocitetit më Serbinë, ka detyruar qeverinë më 25 korrik, që në atë pjesë të dërgojë njësitë speciale të policisë, pa ndihmën e EULEX-it, në mënyrë që të fusë nën kontroll edhe pikën 1 dhe 31.

Ky aksion u mirëprit nga të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare, ndërsa konsumatorët tashmë kanë filluar të bojkotojnë mallrat serbe, kurse u kundërshtua nga serbët lokalë në atë pjesë.

Aksioni nuk përfundoi pa pasoja, pasi që gjatë tij, gjeti vdekjen Enver Zymeri, pjesëtar i njësisë speciale të policisë.

Dy ditë pas aksionit, persona të panjohur kanë djegur pikën 1 në Jarinë, dhe ka pasur të shtëna armësh ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, për këtë akuzoi Beogradin dhe strukturat paralele në Mitrovicë.

Këto vendkalime kufitare nga KFOR-i tashmë janë deklaruar si zona të kufizuara ushtarake dhe në to po qëndrojnë përfaqësues të KFOR-it dhe Policisë se Kosovës.

Autoritete serbe në Beograd, kërkojnë që gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës të kthehet në situatën e para 25 korrikut, ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, këmbëngul se kthim prapa nuk ka.

Ndërsa, ekspertë theksojnë se zbatimi i CEFTA-s, duhet të mbetet shkak që Qeveria e Kosovës ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG