Ndërlidhjet

Thaçi: Zyrtarët serbë - përgjegjës për tensionet dhe dhunën në veri


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se nuk do të ketë kthim prapa në veri, ndërsa akuzoi zyrtarët serbë që po qarkullojnë në atë pjesë të vendit për nxitjen e tensioneve dhe bashkëpunimin me kontrabandistët.

“Për fat të keq zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine, dhe janë të vetmit në Evropë, që lëvizin në mënyrë të tillë. Shteti i Kosovës vazhdon këmbëngulësisht dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri. Ata janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri, ata janë duke i inspiruar bllokuesit e rrugëve, dhe qëndrojnë shpeshherë në mesin dhe në ballë të këtyre barrikaduesve. Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga njerëz paramilitarë të armatosur. Prandaj shteti i Kosovës këta zyrtarë i vlerëson si cenues të të drejtave të njeriut. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada”, u shpreh Thaçi.

Zoti Thaçi ritheksoi vendosmërinë e institucioneve kosovare për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai tha se aksioni policor të 25 korrikut ka qenë i pritshëm dhe legal.

“Beogradi e di se Kosova është vend sovran, është vend i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tash kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore. Kur theksoj Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të tolerojë më tutje kontrabandën, krimin, grupet paramilitare, MUP-in serb, në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Këto komente kryeministri kosovar i bëri në mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG