Ndërlidhjet

KFOR bën marrëveshje me serbët, Qeveria s'e pranon

  • RFE /RL

2 gusht 2011

2 gusht 2011

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byler, kryengeociatori i Serbisë, Borisllav Stefanoviq, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, në orët e mbrëmjes, kanë shkëmbyer për herë të dytë pikëpamjet mbi situatën në veri të Kosovës dhe kanë diskutuar për mënyrën e zgjidhjes së problemeve atje.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga KFOR-i, ata kanë hartuar një marrëveshje, sipas së cilës parashihet:

***Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinë) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bërnjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator, 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.

***Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.

***Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.

Por, Qeveria e Kosovës, draft-marrëveshjen në fjalë e ka vlerësuar të papranueshme.

Përmes komunikatës për media, ekzekutivi ka njoftuar opinionin publik se, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, "kjo draft-marrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës".

"Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë", thuhet në komunikatë.

Ekzekutivi i vendit ka mirëpritur përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto që, siç thuhet, janë në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i.

"Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut", thekson Qeveria e Kosovës në komunikatën drejtuar mediave. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG