Ndërlidhjet

NI: Rikthimi i dhunës në Ballkan


Djegia e vendkalimit kufitar Kosovë - Serbi.
Djegia e vendkalimit kufitar Kosovë - Serbi.
"National Interest"

Shkruajnë: Morton Abramowitz dhe James Hooper


Dhuna etnike është kthyer në Ballkan dhe sërish, e ka zënë në befasi Perëndimin.

Kësaj radhe në qendër të ngjarjeve është veriu i Kosovës.

Formalisht nën sovranitetin e Kosovës, kjo pjesë pretendohet nga Serbia të jetë pjesë e saj dhe trajtohet nga Perëndimi si de-facto pjesë e Serbisë, ku paramilitarët serbë përfitojnë nga kontrabandimi për mafian shqiptare, duke sforcuar njëkohësisht besnikërinë e popullatës serbe atje.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Beogradi e trajtojnë Prishtinën si një zot shtëpie në largësi dhe të pabindur, një partner në heshtje në mirëkuptimet e tyre trepalëshe.

Nga Kosova pritet të respektojë status-quonë dhe të mos përzihet në shkëputjet që ekzistojnë midis interpretimit perëndimor të sovranitetit të Kosovës dhe realitetit në teren, të dominuar nga paramilitarët serbë.

Këto aranzhime u kthyen mbrapsht së fundmi, kur kryeministri i Kosovës dërgoi njësitet policore në dy pikat kufitare në veri për të zbatuar vendimin e qeverisë për reciprocitet tregtar.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës u vra gjatë aksionit nga serbë të armatosur.

Pasuan skenat e ngjashme me ato në Kroaci dhe në Bosnjë në fillim të viteve të 90’ta: u ngritën barrikadat në veri dhe u kufizuan lëvizjet e KFOR-it; dy zyrtarë kryesorë nga Beogradi, përgjegjës për raportet me Kosovën, zbarkuan në veri për të dëshmuar solidaritet me bashkëkombësit e tyre nëpër barrikada, duke ritheksuar kështu pretendimin e Beogradit për këtë territor dhe për të rikthyer gjendjen e mëparshme; serbët hodhën kokteje molotovi në një kamp të KFOR-it dhe dogjën pikën kufitare.

Por, dhuna, mund të ketë krijuar një realitet të ri. Me emocione të fuqishme në të dyja anët, pozicionet duket tash do të sforcohen edhe më shumë. Kosovarët qëndrojnë unanimisht prapa kryeministrit të tyre, i cili tashmë ka dënuar EULEX-in edhe ashtu jo shumë popullor, për mosndërmarrje të asnjë veprimi në ndihmë të policisë.

Një viktimë tjetër mund të jetë edhe dialogu i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë për çështje minore, por praktike.

Vetëm pak javë më parë, BE-ja me mburrje njoftoi marrëveshje mbi tri çështje të këtilla, duke shpresuar të mbajë ritmin për vazhdimësinë e dialogut.

Por, pamjet e liderit serb të këtyre bisedimeve, teksa takon paramilitarët nëpër barrikada, e vendos procesin negociator në një dritë tjetër.

Ngjarjet e fundit kanë trimëruar edhe nacionalistët në Beograd. Në Prishtinë, kosovarët i shohin bisedimet si një shfaqje, në të cilën negociatorët e tyre shfrytëzohen si helikë nga Brukseli për të ndihmuar Serbinë mbi statusin e kandidatit për BE-në.

Një dëm më i madh mund t’i shkaktohet politikës së supozuar të Shteteve të Bashkuara se është më mirë të zvarritet çështja thelbësore dhe e padiskutueshme ende e statusit të veriut të Kosovës.

Ka shumë gjasë që preference e Perëndimit për të rikthyer gjendjen e mëparshme në veri të mos ketë asnjë mundësi, ndonëse diplomatët në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel janë duke bërë çmos për ta arritur pikërisht këtë.


Opsionet

Në një rast të këtillë, Uashingtoni duhet të vendos nëse dëshiron të rishqyrtojë qëndrimet e kahmotshme për mbajtjen e negociatave për statusin final të veriut në një ngrirje diplomatike dhe nëse ngjarjet në veri mund të shfrytëzohen në këtë drejtim.

Nëse kjo ndodhë, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rolin kryesor në negociata dhe ndasitë midis Kosovës dhe Serbisë.

Uashingtoni qartazi do të parapëlqente që të mos i hyjë kësaj kokëdhembjeje – është më e lehtë të shqelmosh kanaçen.

Por, kur dhuna bëhet çështje, përpjekjet e diplomatëve për ta izoluar atë mund të mos kenë sukses, ashtu siç edhe e dimë se ka ndodhur në Ballkanin e viteve të 90’ta.

Uashingtoni tani përballet me dy zgjidhje të mundshme: të ndjek Bashkimin Evropian në rivendosjen e situatës së vjetër, duke e detyruar Prishtinë të pranojë atë gjendje në veri dhe duke bindur të dyja palët t’i kthehen bisedimeve të kufizuara.

Ose, mund të përpiqet të formësojë një realitet të ri, qoftë duke ndryshuar natyrën e bisedimeve dhe duke u përqendruar në çështjen thelbësore të së ardhmes në veri ose duke e nxitur BE-në të vendos një formë të kontrollit perëndimor mbi veriun e Kosovës dhe mbi kufirin me Serbi.

Pothuajse pa asnjë dyshim, nëse historia mund të shërbejë si udhëzues, pasqyrimet afat-shkurtra do të mbizotërojnë ato afat-gjata.(a.v.)
XS
SM
MD
LG