Ndërlidhjet

KS e dënon regjimin e Sirisë ndaj protestuesve

  • RFE /RL

Mbledhja e KS-së për Sirinë

Mbledhja e KS-së për Sirinë

Këshilli i Sigurimit e ka dënuar goditjen e përgjakshme të qeverisë së Sirisë kundër protestuesve anti-qeveri, duke e akuzuar regjimin e presidentit Bashar al-Asad, për shkelje të gjëra të të drejtave të njeriut.

Duke u bërë thirrje shkelësve të të drejtave të njeriut në Siri, se do të mbahen “përgjegjës”, Këshilli i Sigurimit e ka shtuar presionin ndaj sunduesve sirianë.

Por, KS-ja dështoi të arrijë pajtueshmëri për aksion më të fuqishëm me një rezolutë, që fuqitë perëndimore shpresonin se do ta miratonin, duke arritur vetëm një deklaratë presidenciale të Këshillit të Sigurimit, më pak obliguese.

Kjo ndodhi për shkak se Rusia dhe Kina, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, me të drejtë vetoje, i kundërshtuan përpjekjet perëndimore për miratimin e një rezolute obliguese.

Pekini dhe Moska thanë se e kundërshtojnë rezolutën obliguese për shkak se ajo do të mund e hapte rrugën për intervenim të jashtëm ushtarak kundër Sirisë, i ngjashëm me sulmet ajrore të NATO-s kundër Libisë.

Deklarata e Këshillit të Sigurimit e miratuar mbrëmë vonë, dënon “shkeljet e gjëra të të drejtave të njeriut dhe përdorimin e forcës kundër civilëve nga autoritetet e Sirisë”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, tha se raportet për goditje të përgjakshme ushtarake kundër demonstruesve në Siri, gjatë këtyre ditëve, ishin “brutalitet shokues”.

E mirëpres deklaratën presidenciale të miratuar nga Këshilli i Sigurimit si mesazh të qartë të komunitetit ndërkombëtar. Bota e ka shikuar përkeqësimin situatës në Siri me shqetësim të thellë. Por zhvillimet gjatë disa ditëve të kaluara ishin “brutalitet shokues”. Edhe njëherë u bëjë thirrje presidentit Asad dhe autoriteteve siriane për ndaljen e menjëhershme të dhunës”, tha Ban Ki-mun.

Revolta kundër Asadit, familja e të cilit e sundon Sirinë për katër dekada, ishte e inspiruar nga kryengritjet popullore në Egjipt dhe Tunizi, më herët këtë vit, ku u përmbysën autokratët që kishin sunduar për një kohë të gjatë.

Por, konflikti në Siri ishte ndër më vdekjeprurësit në rajon.

Organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, Vëzhguesi Sirian, vlerëson se më se 1600 civilë dhe afro 370 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë prej 15 marsit, kur filluan protestat për demokraci.

Këtë javë në qytetin Hama ndodhi një goditje e ashpër. Hama është qyteti ku vlerësohet se 22 mijë vetë janë vrarë në vitin 1982 kur Hafez al-Asad, babai i presidentit të tashëm, e ndali një kryengritje islamike.

Zhvillimet e fundit në Hama nxitën protesta solidarizuese në mbarë Sirinë, ndërsa goditja qeveritare u dënua ndërkombëtarisht.

Ambasadori britanik në OKB, Mark Lyall Grant, tha se është koha për “reforma të thella politike” në Siri dhe për “përgjegjësi të vërtetë për mizori” të kryera nga forcat qeveritare të sigurisë kundër demonstruesve opozitarë.

Aktet barbare duhet të ndalen në Siri. Vendi duhet ta gjejë rrugën e tij për stabilitet. Kjo do të arrihet vetëm nëpërmjet ndaljes së menjëhershme të dhunës dhe implementimit pa vonesë të reformave të thella politike, respektim të të drejtave të njeriut dhe lirive fondamentale dhe përgjegjësi të vërtetë për mizori kundër protestuesve”, tha ambasadori britanik Grant.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë e ka ashpërsuar retorikën e saj për Bashar al-Asadin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për ta parë presidentin e Sirisë, që të mbetet në pushtet vetëm për ta ruajtur stabilitetin rajonal. Por, Shtëpia e Bardhë përsëri ka dështuar që të bëjë thirrje që Asadi të tërhiqet nga posti i tij. (f. b.)
XS
SM
MD
LG