Ndërlidhjet

Ende vetëm projekt-marrëveshje


Trupat ushtarakë të KFOR-it, në veri të Kosovës.

Trupat ushtarakë të KFOR-it, në veri të Kosovës.

Projekt-marrëveshja e arritur mes KFOR-it dhe zyrtarëve serbë nuk është finalizuar, ndërsa Qeveria e Kosovës këmbëngul se do të zbatojë masat e reciprocitetit dhe se nuk do të negociojë me askënd për Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Por, megjithatë, Qeveria ka dhënë pëlqimin për të bashkëpunuar për ndihmat humanitare, çështje kjo që ceket në marrëveshje. Ende asnjë agjenci nuk ka shpallur se në veri ka krizë humanitare.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka sqaruar situatën e krijuar pas projekt-marrëveshjes së arritur mes KFOR-it dhe zyrtarëve serbë, e cila u hodh poshtë nga ekzekutivi kosovar.

Kryeministri Thaçi, pas një takimi të gjatë me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Byler, tha se ka sqaruar situatën e krijuar pas zhvillimeve të mbrëmshme dhe, sipas tij, është arritur mirëkuptim për hapat e mëtutjeshëm.


Kryeministri Hashim Thaçi
“Shqetësimi ynë ndërlidhet me formulimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare. Pikësëpari, në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Politikanët nuk janë ata që përcaktojnë nëse ka krizë humanitare ose jo. Dje, në Mitrovicë, të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare, kanë konkluduar që nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri”, tha Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Edhe pse kryeministri tha se nuk ka krizë humanitare në veri, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila konfirmoi hyrjen në Kosovë të disa tonë ndihmave humanitare nga Kryqi i Kuq i Serbisë.

“Kemi të bëjmë me ndihmë humanitare që dërgohet nga Kryqi i Kuq i Serbisë dhe vetëm kjo dërgesë lejohet andej. Për dërgesat tjera do të presim mendimin e kualifikuar të organizatave ndërkombëtare, pasi nuk mund të lejojmë që kjo situatë të manipulohet nga ana e Serbisë për qëllime politike”, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë Mimoza Kusari Lila.

Këto deklarata vijnë pas publikimit të një projekt-marrëveshjeje të KFOR-it, të arritur me zyrtarë të Qeverisë serbe, pas gjendjes së krijuar pas 25 korrikut, kur njësitë speciale të Policisë së Kosovës ndërhynë atje për të shtrirë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31.

Sipas projekt-marrëveshjes, në këto pika do të vazhdojë i pandryshuar sistemi i tanishëm i kontrollit nga ana e KFOR-it.

Në dokument thuhet se pas kontrollimit lejohet kalimi i veturave dhe kamionëve që transportojnë ndihma humanitare. Po ashtu flitet edhe për zhbllokim rrugësh.

Kjo marrëveshje u hodh poshtë fillimisht nga Qeveria e Kosovës, për të pasuar me takime në orët e vona të natës mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Byler.

Nga Zyra për Informim e KFOR-it thonë se po zhvillohen diskutime si me qeveritarët kosovarë, ashtu edhe ata të Beogradit, dhe se marrëveshja ende mbetet e pakonfirmuar.

Në veriun e Kosovës edhe sot ka qëndruar kryenegociatori serb, Borisllav Stefanoviq, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të cilët kanë paralajmëruar takime tjera me komandantin e KFOR-it.

Të dy zyrtarët e lartë serbë kanë takuar liderët serbë lokalë të veriut, për t’ua paraqitur projekt-marrëveshjen e arritur me KFOR-in.

Njëri nga liderët e Zveçanit, Dobrosav Dobriq, tha se projekt-marrëveshja nuk është shqyrtuar, por, sipas tij, për serbët e veriut pranohet çdo gjë që “çon kah paqja dhe stabilizimi i gjendjes”.


Veriu i Mitrovicës
“Unë shpresoj që kjo marrëveshje do të garantohet. Por, po e them edhe një here, se për detajet e marrëveshjes nuk jemi njoftuar”, tha Dobriq.

Ndërkohë, dy subjektet më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur shqetësimin në lidhje me projekt-marrëveshjen.

LDK-ja tha se “nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshjeje për Kosovën, në të cilën Kosova nuk është palë fuqiplote”.

Sipas kësaj partie, në veri të Kosovës “nuk ekziston kurrfarë krize humanitare, andaj konvoji i ndihmave humanitare nga Serbia nuk ka të bëjë me humanizëm, por me politikën serbe për tensionimin e situatës”.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, tha se ”Qeverinë e Kosovës në veri e ka faktorizuar aksioni i forcave speciale policore”. Por, siç theksoi grupi i tretë më i madh parlamentar, pa praninë dhe veprimin e vazhdueshëm të këtyre forcave në veri, Qeveria defaktorizohet dhe nuk merret më parasysh, ashtu si ndodhi në marrëveshjen e mbrëmshme midis KFOR-it e Serbisë.

”Fakti se forcat e KFOR-it po negociojnë me përfaqësuesit e shtetit serb, Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq, është treguesi më i saktë i situatës në terren”.

“Ata, të cilët kanë fuqi në terren, ata edhe po negociojnë. Ndërsa, nga deklaratat e Qeverisë së Kosovës, të mbrëmjes së 3 gushtit, (së pari që nuk e pranojnë marrëveshjen, e më pastaj që e pranojnë pasi ua ka shpjeguar komandanti i KFOR-it, Byler) kuptojmë se Qeveria e Kosovës po sillet si një spektator që vështron nga mediat marrëveshjet për territorin dhe kufijtë e vet dhe më pastaj i komenton dhe i vlerëson këto marrëveshje, po ashtu nga larg”, thuhet në komunikatën për media të Vetëvendosjes.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, këmbënguli se gjendja në veri ka ndryshuar, se atje do të kthehet rendi dhe ligji dhe se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut.

“Për Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat tona nuk negociojmë me askënd”, theksoi Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG