Ndërlidhjet

logo-print

Alarm për krizën e borxhit

  • RFE /RL

Hose Manuel Baroso

Hose Manuel Baroso

Kreu i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, ka lëshuar alarm për krizën e borxhit në Eurozonë, duke thënë se ajo po përhapet përtej periferive të rajonit.

Paralajmërimi i Barosos erdhi në një letër drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, ku ai kërkoi “rivlerësim të shpejtë të të gjitha elementeve, në lidhje me fondin e ndihmës së Eurozonës”.

Ky hap vjen në mesin e shqetësimeve në rritje se kriza e borxhit po prek ekonomitë e mëdha, si Italia dhe Spanja.

“Është e qartë se ne nuk po menaxhojmë krizën në periferinë e Eurozonës. Stabiliteti financiar i Eurozonës duhet të ruhet. Të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian duhet të luajnë rolin e tyre në mbështetje të plotë të shteteve anëtare të Eurozonës”, tha Baroso.

Apeli i tij vjen vetëm dy javë pasi liderët e BE-së kanë arritur marrëveshjen për strategjinë e krizës, e cila përfshin edhe paketën e dytë të ndihmës për Greqinë.

Zëdhënësja e Barosos konfirmoi se “elementet e fondit që duhen rivlerësuar, përfshijnë madhësinë e fondit”.

Kjo e fundit aktualisht qëndron në 440 miliardë euro, por pas ndihmës së fundit, ka pak gjasë të ndihmojë Italinë dhe Spanjën në shlyerjen e borxheve të tyre.

Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane ka vepruar në drejtim të qetësimit të tregjeve, të tronditura nga kriza e borxheve.


Zhan Klod Trihet
Kreu i saj, Zhan Klod Trihet, tha se banka po vazhdon të blejë bono qeveritare, për të ndihmuar vendet me kosto të lartë të huamarrjes – një program, i cili nuk ka qenë aktiv që nga muaji mars.

Duke folur para gazetarëve në Frankfurt, Trihet tha se investitorët së shpejti do të shohin se i ashtuquajturi Program i Letrave me Vlerë nuk është një program i fjetur.

“Programi i Letrave me Vlerë është tërësisht transparent. Pra, do të shihni se çfarë do të bëjmë; do ta publikojmë atë që do bëjmë. Siç e dini, unë kurrë nuk kam thënë se ky program është ndërprerë”, tha Trihet.

Në anën tjetër, Baroso tha se presioni ndaj Italisë dhe Spanjës, edhe pse “në mënyrë të qartë i pajustifikuar”, pasqyron shqetësimin për “kapacitetin sistematik të Eurozonës për t’iu përgjigjur krizave në zhvillim”.

Në korrik, ministrat e Eurozonës u pajtuan për një paketë të dytë ndihme për Greqinë, me shpresën e parandalimit të zvarritjes së krizës në Itali dhe Spanjë. Por, plani duket se ka dështuar të kontrollojë problemin.

Madridi është detyruar të ofrojë norma tejet të larta të interesit, për shkak se investitorët janë jashtëzakonisht të shqetësuar për rrezikun e mundëshëm të moslikudimit të borxhit nga ana e Qeverisë spanjolle.

Një tjetër vend në vështirësi është Italia. Kryeministri Silvio Berluskoni pranoi se “Italia ka nevojë për një plan të menjëhershëm veprimi” që u përgjigjet normave të larta të interesit.

Berluskoni tha se tregjet e kanë vlerësuar “gabimisht” krizën e borxhit të Italisë dhe potencialin e saj të rritjes. Ai tha se Italia ka nevojë për masa të reja për reformimin e tregjeve të punës dhe rritjen e konkurrencës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG