Ndërlidhjet

Abramovic: Qeveritë aleate s'e duan ndarjen

  • Gordana Knezheviq, Radio Evropa e Lirë

Morton Abramovic

Morton Abramovic

"Qeveritë aleate s'e duan ndarjen e Kosovës. Sikur kjo ide të mbështetej, do të kishte efekt shkatërrues", thotë për Radion Evropa e Lirë Morton Abramovic, ish-emisar amerikan për Ballkanin.


RADIO EVROPA E LIRË
Ajo që po shohim aktualisht, është eksplodim i politikës së keqe dhe hipokrizisë së komunitetit ndërkombëtar. Kur Kosova ka vendosur thjesht të mbrojë kufirin e saj, ne kemi krizë të re. Si e shihni ju këtë situatë?

MORTON ABRAMOVIC
Cilado qoftë arsyeja, Thaçi ka lëvizur. A ka biseduar ai me dikë, me amerikanët ose jo, unë nuk e di. Ka pasur lëvizje përpara dhe prapa në këtë çështje. Kosova realisht i bën gjërat me miratimin amerikan, pasi Amerika është miku më i mirë. Por, pavarësisht, ai veproi dhe besoj se status-quoja, në një mënyrë, ka ndryshuar.

Nuk e di se ku qëndrojnë negociatat, por edhe ato mund të lëvizin prapa. Megjithatë, mendoj se në Bruksel do të shkohet përsëri për të zgjidhur problemin e doganave. Mirëpo, nuk mendoj se kjo do të ndihmojë për një zgjidhje afatgjate në veri. Tash, ata ndoshta shpresojnë se me kohë gjërat do të ndodhin. Por, mendoj se problemet fundametale mbesin.

Disa do të dëshironin ta shihnin zgjidhjen në ndarje, por nuk mendoj se dikush nga qeveritë aleate e dëshiron ndarjen e veriut. Mendoj se sikur kjo ide të mbështetej, ajo do të kishte efekt shkatërrues në Republikën Serbe në Bosnjë. Pra, mendoj se kjo çështje nuk mund të ngrihet, sepse do të kemi probleme dhe shqetësime të mëtejshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i vdekur?

MORTON ABRAMOVIC
Nuk ka dialog, por zemërim të madh gjatë javës së kaluar. Kjo nuk do të thotë se ata do të shkojnë prapa, pasi mbi kokë do ta kenë Bashkimin Evropian dhe të tjerët, të cilët do të përpiqen të arrijnë ndonjë marrëveshje.

Besoj se këto negociata janë dëmtuar seriozisht. Nuk them se janë dëmtuar pakthyeshëm, por janë dëmtuar seriozisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të dyja rastet, në Kosovë dhe në Bosnjë, i kemi serbët që aktualisht veprojnë sipas direktivave të dhëna nga Beogradi. A pajtoheni me këtë konstatim?

MORTON ABRAMOVIC
Veriu udhëhiqet nga Beogradi. Ky është fakt. Paramilitarët serbë, mafia serbe, mafia shqiptare e kanë përdorur për shkaqe të ndryshme. Është hapësirë e kontrolluar nga serbët dhe shumë serbë të njohur më kanë thënë se ‘ne, thjesht, nuk mund të largohemi nga Kosova, pa pasur diçka kthyese’.

A është kjo pikëpamje e përhershme apo pikëpamje negociuese, nuk e di, por për shumë në Serbi, e veçanërisht për politikanët, veriu është çështje shumë e vështirë politike.

Mendoj se Bashkimi Evropian e ka shikuar zotin Tadiq si liderin kryesor me orientime perëndimore, i cili mund t’i zgjidhë këto probleme që na shqetësojnë. Për këtë arsye është menduar se premtimi për integrim në BE, do t’i ndryshojë qasjet e çdokujt. Do të doja të shpresoja se kjo është e vërtetë, por jam skeptik.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nëse aktulisht shikojmë në atë se çka bën Tadiqi, e jo në atë se çka flet, ne shohim mënyrën e tij që t’i arrijë qëllimet e Millosheviqit, por jo me mjetet e tij. Ai nuk do të bëjë luftë...

MORTON ABRAMOVIC
Nuk do të shkoja aq larg. Zoti Tadiq e sheh të vështirë braktisjen e veriut dhe marrjen e vendimit për heqje dorë nga kontrolli serb i veriut. Nuk mendoj se ai dhe çdokush tjetër synojnë kthimin në Kosovë.

Sa i përket Republikës Serbe, kjo është po ashtu problem i politikës serbe dhe kjo është marrëdhine e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës në politikën serbe. (f.b.)
XS
SM
MD
LG