Ndërlidhjet

(Pa)Fuqia e BE-së në dialog


Bruksel
Bruksel
Përderisa Beogradi zyrtar nuk ka treguar ndonjë interesim që dialogu me Prishtinën të jetë i suksesshëm, kjo e fundit, ashtu sikurse edhe Bashkimi Evropian, i janë qasur dialogut të papërgatitur, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Ardian Arifi thotë se defektet e dialogut, siç i quan ai, kanë dalë në sipërfaqe pas shtyrjes së bisedimeve për në shtator me kërkesën e Serbisë, si dhe ngjarjeve që ndodhën nga 25 korriku e më pas, në veriun e Kosovës.

Nëse dialogu rinis në shtator, sipas tij, Kosova duhet të përgatitet shumë më tepër dhe t’i ketë parasysh arsyet se pse po hyn në dialog dhe çfarë dëshiron të përfitojë nga ai.

“Ta zhvillojë (Kosova) një dialog shumë më transparent se ky që ka qenë deri tash, me një përfshirje shumë më të madhe të Kuvendit (të Kosovës) dhe llogaridhënie para Kuvendit. Sa për ndryshimin e formatit, nuk besoj që mund të ndryshojë formati”.

“Nëse mendohet se tash duhet të flitet për veriun, nuk besoj se duhet bërë kjo. Edhe ashtu, temat, pikat e rëndësishme, si sovraniteti, integriteti i Kosovës, janë përgjegjësi vetëm e Kuvendit. Nuk mundet asnjë ekip dhe asnjë përfaqësues i qeverisë të flasë për këto tema. Vetëm Kuvendi ka mandat që të caktojë se kush flet dhe çka vendoset për këto tema”,
thotë Arifi.

Ai kritikon sjelljet e kryenegociatorit serb, Borisllav Stefanoviq, i cili gjatë ditëve të fundit është parë në mesin e serbëve lokalë, të cilët kanë protestuar pranë barrikadave, me të cilat kishin bllokuar disa rrugë në veri të vendit.

Sipas tij, Stefanoviq do të jetë person i papranueshëm nga pala kosovare për të dialoguar me të.
...kriteri që bisedimet të jenë vetëm teknike, nuk e di se sa mund të qëndrojë tash, kur u pa që edhe Borko Stefanoviq është politikan, vepron si politikan.

Përfaqësuesi i Serbisë në bisedime, Borko Stefanoviq, nuk besoj që mund të pretendojë të ketë nj rol vetëm teknik, por qartazi ai ka edhe një rol politik. Prandaj, kriteri që bisedimet të jenë vetëm teknike, nuk e di se sa mund të qëndrojë tash, kur u pa që edhe Borko Stefanoviq është politikan, vepron si politikan dhe me agjendë politike”, thotë Arifi.

Analisti tjetër politik, Shenoll Muharremi, njëkohësisht edhe njohës i rrethanave të integrimeve evropiane, vlerëson se situata ka ndryshuar pas 25 korrikut dhe, siç thotë ai, Komisioni Evropian është i pafuqishëm në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Shenoll Muharremi
“Keni parë edhe vetë që gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike në fund të korrikut dhe Komisioni Evropian, që e ka lehtësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka më fuqi politike që ta bëjë një gjë të tillë, për shkak se problemi është shumë më i madh”.

“Ne jemi dëshmitarë që politika e jashtme e Bashkimit Evropian është politikë jo me shumë eksperiencë. Është në fazën e hershme të saj dhe në shumicën e rasteve nuk funksionon. Shtetet anëtare të BE-së, më të mëdhatë, kanë primat dhe ndikim të madh. Kosova me Serbinë do të dialogojnë si dy shtete fqinje, por, për momentin, është një shtet në Ballkanin perëndimor, Serbia, e cila ka bërë agresion në territorin e një shteti tjetër”,
thotë Muharremi.

Ai thekson se Bashkimi Evropian duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe “të mos jetë dorëlirë në politikën ndaj Serbisë, nëse dëshiron ta ruajë stabilitetin në Ballkan”.

“Jam i shokuar se si Bashkimi Evropian e toleron Serbinë me një qasje të tillë dhe, thjesht, diskuton për çështje të avancimit të Serbisë në agjendën evropiane. Nëse Bashkimi Evropian i jep Serbisë statusin e kandidatit në fund të vitit, pa e plotësuar ajo kushtin më esencial të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, atëherë mendoj se kjo do të jetë një katastrofë dhe një sinjal jashtëzakonisht i keq, me të cilin do të inkurajohej Serbia që të vazhdojë me masa të tilla”.

“Fakt është që Serbia nuk është një fqinj konstruktiv. Serbia është një vend, i cili bën agresion në fqinjët e saj dhe kjo duhet të ndëshkohet edhe prej Kosovës, edhe prej Bashkimit Evropian”,
shprehet Muharremi.

Bashkimi Evropian, kohë më parë, ka paralajmëruar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë në muajin shtator.
XS
SM
MD
LG