Ndërlidhjet

Komuniteti i biznesit: Të eliminohet taksa doganore


Zyrtarët thonë se asnjë mall serb nuk ka hyrë në Kosovë që nga vendosja e masave të reciprocitetit.

Zyrtarët thonë se asnjë mall serb nuk ka hyrë në Kosovë që nga vendosja e masave të reciprocitetit.

Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit të përgatisë politika të favorshme për stimulimin e prodhimeve të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë anëtare të CEFTA-s. Lidhur me këtë, sipas tij, është i nevojshëm eliminimi i taksës doganore prej 10%.


Situata e krijuar pas fuqizimit të masave reciproke ndaj produkteve serbe dhe vënies së taksave doganore prej 10% për mallrat boshnjake, ka shtyrë komunitetin e biznesit që t’i propozojë ekzekutivit të vendit ndryshimin e politikave fiskale - me theks të veçantë uljen e taksave doganore për produktet bazike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të cilat dëshirojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, duhet të paguajnë taksë doganore prej 10%. Ndërsa, shtetet që janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, janë të liruara nga kjo pagesë.

Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Por, në tregun kosovar janë të pranishme edhe produkte të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se Qeveria e Kosovës duhet aplikojë masa të përkohshme, duke eliminuar taksën doganore vetëm për produktet bazike, të cilat në mënyrë zinxhirore mund të ndikojnë në ngritjen e çmimeve të artikujve të tjerë.

“Realisht, një veprim i tillë duhet të pritet kur Kosova do të kishte ndonjë marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe kjo do të duhej të bëhej gradualisht”.

“Por, në situatën e re të krijuar, qeveria duhet të mendojë që në disa produkte bazike, të cilat janë të rëndësishme për tregun, të aplikojë masë të përkohshme të uljes së taksës doganore në zero për qind”,
thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) u rekomandon autoriteteve kompetente që të veprojnë në këtë drejtim. Agim Shahini, udhëheqës i këtij subjekti, shpreh nevojën për uljen e taksave doganore, për shkak se, siç thotë ai, Kosovës i duhen edhe prodhime nga shtetet evropiane.

Merdarë
“Të gjitha shtetet që nuk janë në marrëveshje me CEFTA-n - shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendet e treta, të gjitha i nënshtrohen taksës doganore”.

“Prandaj, ne si AKB kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të marrë edhe një hap tjetër për të liruar nga taksat doganore mallrat esenciale, siç janë: mielli, sheqeri, vaji, kripa dhe produktet tjera, derisa të vazhdojë të jetë i bllokuar tregu i Serbisë”,
thekson Shahini.

Një intervenim i mundshëm në politikat fiskale mund të ndodhë vetëm në fillim të vitit 2012, thotë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila. Sipas saj, një masë e tillë nuk mund të fuqizohet në pjesën e dytë të vitit, ashtu siç kërkohet nga komuniteti i biznesit.

“Ne jemi duke shikuar reformimin e politikës fiskale - e cila do të hyjë në fuqi që nga janari i vitit 2012 - nga e cila Kosova do të ketë një politikë të re në raport me importin e lëndës së parë, makinerisë dhe produkteve të tjera, të cilat vijnë nga vendet e ndryshme, por edhe nga vendet e Bashkimit e Evropian”, thotë Kusari Lila.

Përveç taksës doganore prej 10% që duhet t’i nënshtrohen produktet e importuara, tatimi kryesor në Kosovë është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, çfarë është 16 për qind për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre, dhe zero për qind për mallrat, të cilat i dedikohen eksportit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG