Ndërlidhjet

Ndikimet politike mbi gjyqësorin


Gjykata në Shkup
Gjykata në Shkup
Përkundër pretendimeve për reforma të thella, pushteti gjyqësor në Maqedoni mbetet i varur nga politika, duke i rrënuar edhe më shumë imazhin, edhe ashtu të keq, të krijuar jo vetëm para qytetarëve, por edhe para komunitetit ndërkombëtar.

Kështu vlerësojnë ekspertët, duke komentuar vendimet e fundit gjyqësore që çuan në mbylljen e Televizionit A1, por edhe vendimet e fundit ndaj personaliteteve politike, të afërta me drejtuesit e këij televizoni, ndaj të cilave kanë filluar procedura të ndryshme të ndjekjes.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Rufi Bakiu, thotë se partitë, pa marrë parasysh nëse janë në pushtet ose opozitë, duhet të heqin dorë nga ndikimi mbi punën e gjykatave, pasi sundimi i së drejtës është hallka kryesore e zhvillimit të një shoqërie

Unë mendoj se politika e ka kuptuar rëndësinë e pushtetit gjyqësor dhe kritikat që vijnë në këtë drejtim për Maqedoninë si shtet, mirëpo ne edhe më tutje veprojmë në bazë të mentalitetit ballkanik, të cilin e kemi këtu dhe e kemi të vështirë të shkëputemi nga ai".

"Politika mendon se është mirë që edhe në këtë sferë të pushtetit, njerëzit të kyçen mbi baza të përcaktimeve politike. Mirëpo, kjo është e dëmshme dhe assesi nuk mund të sjellë efikasitet në këtë sferë”,
thotë Bakiu.

Llazar Nanev, gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë, veç politikës, për gjendjen e krijuar në sistemin juridik të vendit, fajëson edhe gjykatësit, të cilët, sipas tij, nuk veprojnë për të përmirësuar siatuatën e krijuar.

“Përkundër ndryshimeve dhe plotësimeve që janë miratuar së fundmi, përfundimisht sistemi gjyqësor duhet të ndryshojë filozofinë e veprimit. Këtu, para së gjithash, mendoj për gjykatësit, të cilët, njëherë e përgjithmonë, duhet të heqin dorë nga praktika e të menduarit se dikush nga jashtë duhet t’ua zgjidhë problemet".

"Ata duhet të bëjnë shumë më tepër për rritjen e pavarësisë dhe të efikasitetit të punës”,
thotë Nanev, duke veçuar në këtë rast zbatimin në praktikë të zgjidhjeve ligjore.

“Ligjet nuk është e mundur që vetvetiu të ndryshojnë pasqyrën, në të cilën ndodhet gjyqësori. Ne jemi shteti, i cili në periudhën e kaluar kohore ka miratuar apo ndryshuar shumë ligje me rekomandim të bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim rritjen e efikasitetit të punës, të pavarësisë apo të kthimit të autoritetit të gjykatësve, por kjo nuk mund të arrihet pa zbatimin në praktikë të këtyre ligjeve. Këtu qëndron problemi, të cilin duhet ta zgjidhim në të ardhmen”, thotë gjykatësi Nanev.

Sa i përket rregullativës ligjore, por edhe rolit të gjykatësve në këtë segment, profesori universitar, Ruhi Bakiu, thekson:

Nëse ato ligje nuk zbatohen, nuk mund të themi se kemi efikasitet të pushtetit gjyqësor. Ky efikasitet duhet të zhvillohet në dy drejtime; në njërën anë, vetë gjykatësit duhet të ushtrojnë profesionin në mënyrë më të pavarur, kurse, në anën tjerër, edhe segmentet tjera të pushtetit duhet të krijojnë hapësira që edhe gjykatësit të mund të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të pavarur”, thotë Bakiu.

Ndryshimet e fundit në sistemin juridik që kanë gjetur zbatimin në praktikë, kanë të bëjnë me largimin e ministrit të Drejtësisë dhe të kryetarit të Gjykës Supreme nga Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë, që është edhe organi më i lartë për emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve.

Largimi i tyre është bërë pas kritikave për ndikimin e tyre politik gjatë marrjes së vendimeve në Këshillin Gjyqësor Republikan. Përkundër kësaj, ekspertët presin që edhe në Raportin e Progresit të këtij viti të Komisionit Evropian, gjyqësori në Maqedoni të apostrofohet si pengesë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG