Ndërlidhjet

Rusi-Gjeorgji: Tre vjet pas luftës

  • RFE /RL

Nga konflikti në Gjeorgji, gusht 2008.

Nga konflikti në Gjeorgji, gusht 2008.

Tre vjet pas luftës me Rusinë, e cila çoi në humbjen e Gjeorgjisë dhe njohjen e rajoneve separatiste nga ana e Moskës, situata në terren mbetet në rrugë qorre. Pa negociata reale dhe me pozicione kontradiktore, ka pak shpresë për përparim.


Kanë kaluar tre vjet që nga lufta e shkurtër mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ndërsa bllokimi politik mes dy vendeve vazhdon të mbetet.

Në mungesë të negciatave reale dhe me qëndrimet kontradiktore të palëve – ku Moska ka njohur rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, ndërsa Tbilisi këmbëngul se ato janë pjesë përbërëse e Gjeorgjisë – perspektiva për lëvizje përpara duket e zbehtë.

Gjatë kësaj jave, kryeministri rus, Vladimir Putin, ka spekuluar se Osetia e Jugut mund t’i bashkohet Rusisë. Presidenti Dimitri Medvedev ishte disi më pak i drejtpërdrejtë, por, megjithatë, i la hapur dyert për një mundësi të tillë.

“Nuk ka asnjë parakusht ligjor për këtë tani, por nuk mund të themi se çfarë do të sjellë e ardhmja. Situata mund të zhvillohet në çdo mënyrë. Duke e parë tani, mendoj se nuk ka parakushte ligjore apo ‘de facto’, që të ndodhë një gjë e tillë”, tha Medvedev.

Gjatë këtyre tre vjetëve, Rusia ka konsoliduar kontrollin e saj në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, duke futur trupat brenda, por njëkohësisht duke shkelur marrëveshjen për armëpiushim që i dha fund konfliktit të 2008-ës.

Medvedev i ka paraqitur Dumës ruse legjislacionin, për të bërë bashkimin doganor me rajonet separatiste.

Giga Zadania, profesor në Universitetin e Tbilisit, thotë se qëllimi i Rusisë në konflikt, nuk është përqendruar vetëm në dy rajonet separatiste. Sipas tij, ajo do t’i shkatërrojë përpjekjet e përgjithshme të Gjeorgjisë për t’u bërë një vend modern, perëndimor e demokratik.

“Qëllimi i Rusisë, në thelb, ishte të pengonte projektin gjeorgjian. Mendoj për projektin e fundit të Gjeorgjisë, që bazohej në modernizimin e vendit”, thotë Zadania, sipas të cilit, qëllimi nuk është arritur.

Lufta dhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar në prag të konfliktit thuhet se i ka çliruar gjeorgjianët nga pritjet joreale për integrim të shpejtë në Perëndim, e sidomos nga ideja se anëtarësimi i Gjeorgjisë në NATO është i sigurt dhe pashmangshëm.

Zadania thotë se elita politike në Gjeorgji tani e sheh si projekt të gjatë integrimin euro-atlantik, i cili varet shumë nga vendimet e tyre politike.

Irakli Alasania, i cili ishte ambasador i Gjeorgisë në Kombet e Bashkuara gjatë luftës së 2008-ës, ndërsa tani kryeson partinë opozitare “Gjeorgjia jonë - Demokratë të lirë”, pajtohet.

“Po e shohim më realisht procesin e integrimit. Kemi kuptuar se ka shumë punë për t’u bërë në gjyqësor, reformat legjislative, reformat ekonomike, që do të na sjellin më afër Bashkimit Evropian“, thotë Alasania.

Batu Kutelia, zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Gjeorgji, i cili ishte zëvendësministër i mbrojtjes gjatë konfliktit të gushtit 2008, thotë se shteti gjeorgjian është i fokusuar në gjërat që mund t’i bëjë për veten e tij.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme për vendin të vazhdojë transformimin e tij demokratik dhe reformat e tjera, “pa lejuar të jetë i hutuar nga provokimet e armiqëve”.

Ky fokus i bën jehonë politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Gjeorgjisë, e cila është emërtuar si “durim strategjik”. Linkoln Miçell, ekspert për Gjeorgjinë pranë Universitetit Kolumbia të Nju Jorkut, është skeptik ndaj konceptit.

Pozicioni zyrtar i Amerikës është “durimi strategjik”, i cili shtrihet mbi idenë se Gjeorgjia po lëviz drejt shtetit absolutisht demokratik dhe se abkhazët thjesht do të duan të kthehen dhe të jenë pjesë e Gjeorgjisë – kjo është kryesisht e bazuar në fantazi dhe në një lloj propagande”, thotë Miçell.

Vladimir Putin
Në të ardhmen afatshkurtër, Alasania thotë se gjëja më e rëndësishme për Gjeorgjinë janë zgjedhjet e lira në maj të 2012-ës, të cilat ai pret se do të sjellin një legjislaturë më pluraliste dhe do ta shtyjnë debatin politik nga rruga në parlament.

Si vendimtare, ai i sheh edhe zgjedhjet presidenciale të 2013-ës. Ka pasur spekulime në Tbilisi se presidenti Mikhail Sakashvili mund të përpiqet për të mbetur në pushtet, duke marrë postin e ri të kryeministrit.

Alasania thotë se një hap i tillë, i cili ironikisht do të kopjonte taktikën e Vladimir Putinit për të mbetur në pushtet në vitin 2008, do të ishte i dëmshëm për zhvillimin e demokracisë në Gjeorgji.

“Ne duhet të sigurohemi se Sakashvili nuk do ta ‘putinizojë’ veten”, thotë Alasania.

Pak në Gjeorgji presin apo shpresojnë se kontesti me Rusinë apo statusi i Abkhazisë dhe Osetisë Jugore do të mund të zgjidhen në të ardhmen e afërt.

I pyetur se cili do të ishte skenari më i keq dhe cili më i mirë në tre vjetët e ardhshëm, presidenti i Fondacionit Gjoergjian për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Aleksander Rondeli, thotë:

“Skenari më i keq është një regjim pro rus në Tbilisi dhe kontrolli i rusëve në gjithë Kaukazin Jugor. Ndërsa, skenari më i mirë ndodh nëse qëndrojmë ku jemi – drejt zhvillimit pa ndërhyrjen ruse”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG