Ndërlidhjet

Musa: Masat e reciprocitetet - të arsyeshme


Lekë Musa
Lekë Musa

“Nënshkrimi i marrëveshjes së KFOR-it me serbët do të mundëson që tentativat për të zhvilluar kontrabandë në veri të jenë të suksesshme, pasi KFOR nuk ka as logjistik e nuk ka as edhe vullnet për të kontrolluar kontrabandën ashtu si do të mund bënin Doganat e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Lekë Musa

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Musa, Në Kosovë që nga data 25 korrik po zbatohet reciprocitet ndaj produkteve të Serbisë. Si i shihini ju zhvillimet ekonomike që kanë ndodhur në Kosovë pas aplikimit të kësaj mase?
LEKË MUSA
Oda Ekonomike Amerikane si dhe shoqatat tjera të biznesit, qysh moti kanë kërkuar aplikimin e masave reciproke ndaj produkteve që kanë origjinë nga Serbia, kjo për arsye se Kosova në rast se dëshiron të jetë partner i barabartë me shtete tjera në rajon duhet te jete në gjendje të kontrollojë dhe të shtrijë autoritetin e vet në tërë Kosovën, që ky vend të funksionojë si i treg unik doganor, në të cilin aplikohet masë doganore për të gjithë produktet në mënyrë të njëjtë dhe në të njëjtën kohë që të zbatojë masa reciproke ndaj shteteve të ndryshme varësisht në çfarë forme ata i trajtojnë produktet nga Kosova.

Vetëm në këtë formë ne do jemi një vend atraktiv për të tërhequr investitorët e huaj sepse përndryshe nëse Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje të mbrojë prodhuesit të cilët prodhojnë dhe dëshirojnë të eksportojnë nga Kosova, atëherë askush nuk do të jetë i interesuar të investojë këtu dhe ta sheh Kosovën një vend prej kah mund t’i plasojë produktet e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë përfitimet e Kosovës qe nga aplikimi i kësaj masave për produktet serbe?
LEKË MUSA
Prej informatave që kemi dëgjuar prodhimi vendor ka shënuar ngritje, ka rritje të kërkesës së produkteve vendore prej 10 për qind, gjithashtu në të njëjtën kohë ka një interesim më të thekura prej investitorëve të huaj dhe për ta konsideruar si një vend ku mund të bëhet biznes.

RADIO EVROPA E LIRË:
Kontrabanda në veri thuhet se i ka kushtuar humbje buxhetit të Kosovës deri në 300 milion euro në vite, Tani pas marrjes në kontroll të këtyre pikave cilët do të jenë përfitimet për forcimin e arkës shtetërore?
LEKË MUSA
Natyrisht se mund të forcohet, pasi që është mbyllur një vend ku ka hyrë kontrabanda. Edhe në këtë rast Doganat e Kosovës do të vjelin më shumë sidomos tarifa doganore, Efekti tjetër që arrihet është të krijohen kushte të barabarta të bërit biznes.

Do të thotë nuk trajtohen në mënyrë të pabarabartë ata që bëjnë biznes në mënyrë të ndershëm dhe ata që nuk bëjnë biznes të mënyrë të ndershëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi KFOR ka arritur një marrëveshje me serbët që veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit. Si e komentoni ju këtë?
LEKË MUSA
Në aspektin humanitar ne e përshëndesim çka do që ndihmon dhe që lehtëson jetën e qytetarëve, por sa kamë dëgjuar unë nuk ka krizë humanitare dhe se Qeveria e Kosovës qëndron e gatshme që të ndihmojë qytetarët në veri, mirëpo shpresoj që këto dërgesa të jenë ekskluzivisht për qëllime humanitare dhe për konsumin dhe jo për tregtim, shpresoj që KFOR të jetë në gjendje të kontrolloj këtë hyrje të këtyre produkteve nga Serbia dhe të mos lejojnë që të zhvillohet kontrabanda para syve të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ndodh që në kuadër të kësaj marrëveshje të hynë përsëri mall i kontrabanduar nga Serbia në Kosovë?
LEKË MUSA
Gjasat janë shumë të mëdha se do të ketë tentativë për të zhvilluar kontrabandën dhe e di se sigurisht do të jenë të suksesshme në këtë tentativë për arsyeje se KFOR sa di unë nuk ka as logjistik e nuk ka as edhe vullnet për të kontrolluar kontrabandën ashtu si do ta mund bënin Doganat e Kosovës për të ndaluar hyrjen e mallrave në të zezë në Kosovë.

Meqenëse kjo është një periudhe e shkurtër unë me të vërtet shpresoj që qeveria e Kosovës do të arrijë të ktheje zyrtarët e doganorët dhe policinë në atë pjesë për të kontrolluar të gjithë kufijtë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zëvendësimi i produkteve serbe me produktet e vendeve tjera të rajonit apo botës a mund te jete më i kushtueshëm dhe të ndikojë në ngritjen e çmimeve në vend?
LEKË MUSA
Këtu ka pasur një debat mjaft të madh për zëvendësimin e produkteve nga Serbia. Qëndrimi ynë është që Serbia nuk është as i vetmi prodhues i ndonjë produkti të caktuar dhe të njëjtën kohë nuk shquhet për kualitete të këtyre produkteve.

Ne gjatë kontakteve me prodhues të ndryshëm që kanë marr lëndë të parë nga Serbia na kanë thënë se pasi që kanë vendosur të zëvendësojnë produktet nga Serbia kanë vërejtur që këto produktet nga vendet tjera janë me çmime më të ulëta por edhe nga cilësia janë më të mirë se ato nga Serbia. Këtu kemi të bëjmë për zëvendësimin e farërave të ndryshe apo pesticide plehra të ndryshme. Mendoj që një gjë e tillë vlen edhe për segmentet tjera të ekonomisë dhe industrive të ndryshme.

Sa i përket ngritjes së çmimeve mund të, por mendoj e se ja vlen, por besoj dhe kjo ngritje e qimeve nuk do të jetë drastike. Mund të ketë ngritje të çmimeve në drithëra ne importin e grurit, por Qeveria e Kosovës mund të ndërhyjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse eventualisht Serbia do të pranonte vulat e Kosovës dhe të largohen masat reciproke ndaj këtyre vendeve cilat do të ishin përftimet e Kosovës dhe të Serbisë?
LEKË MUSA
Kosova me sa mbajë mend në një pozite të mirë të mundshme ka qenë në gjendje që të eksportojë mallra në Serbi deri në 30 milion euro në vit. Që do të thotë që janë diku 15 për qind të eksportit të mallrave serbe në shtetin e Kosvës. Kosova nuk do të përfitonte shumë, ajo që do të përfitonte më heqjen e masave të reciprocitetit është Serbia.

Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment që të ngritët baza industriale në Kosovë dhe që një pjesë e mirë e këtyre mallrave të zëvendësohet me mallra të Kosvës. Dhe të zvogëlohet ky shpërpjesëtim i madh i tregtisë mes Kosvës dhe Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tani e 5 vite Kosova është nënshkruese e marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA, Cilat kanë qenë përfitimet që ka pasur Kosova si anëtare e këtij mekanizmi?
LEKË MUSA
Kosova nuk është se ka fituar shuam, por nuk ka humbur. Pjesëmarrja në CEFTA duhet të shikohet në perspektiva afatgjate e Kosovës , pasi që në e kemi si synim kryesor integrimin në BE, atëherë kjo është një përgatitej e shteteve të rajonit që një ditë te jemi një pjesë e një tregu më të gjerë të Bashkimit Evropian ku do të ballafaqohemi me shtete dhe prodhues me kushte shumë më të vështira se sa janë në CEFTA.

Në të njëjtën kohë edhe pse Kosova nuk ka qenë gjendje të tërheq shumë investitorë të huaj, pjesëmarrja në CEFTA mbetet në element kryesor ku Kosova shitet si një vend për investitorë të huaj. Prandaj nuk duhet të shikohet vetëm nga perspektiva që është arritur deri më tani, mirëpo duhet shikuar nga një perspektive më e gjatë dhe atë se çfarë mund të sjell në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG