Ndërlidhjet

Mungesa e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vazhdon të jetë evidente. Këtë e thonë vetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë ardhur në përfundim se për t’u mbuluar lista esenciale me barna, nevojiten 40 milion euro, derisa për këtë çështje ministria i ndan 13.5 milion euro.

Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i ndarë për barna esenciale dhe nevojat e qendrës klinike janë në disproporcion të madh.

Sipas zotit Hoti, pacientët shpenzojnë për barna çdo vit rreth 80 milion euro.

“Krahas këtyre shpenzimeve që bëhen për listën esenciale të barnave, qytetarët e Kosovës që blejnë barna nga xhepi i tyre, për një vit është 80 milion euro. Vlerësohet që lista esenciale është shumë e gjerë dhe Ministria e Shëndetësisë po punon që këtë ta kthejë në një listë emergjente duke e marrë parasysh buxhetin”, thekson Hoti.

Ndërkaq, Shpend Fazliu , zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se edhe pse më fillim të çdo muaji barnatorja qendrore e QKUK-së, me miratim të drejtorit e dërgon kërkesën mujore për furnizim në departamentin farmaceutik të ministrisë, jo gjithherë ato kërkesa përmbushen.

Arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë është se buxheti i tërësishëm për barna nuk mjafton për ti mbuluar gjitha kërkesat e klinikave”, bën të ditur Fazliu.

Por sipas Fazliut, Ministria e Shëndetësisë është koncentruar në blerjen e barnave të shtrenjta, derisa pacientëve u mbeten t’i blejnë disa barna më të lira që nuk u dëmtohet shumë xhepi i tyre.

Edhe Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë deklaruar disa herë se shuma e dedikuar aktuale për financimin e sistemit shëndetësor, është jo adekuate dhe jo e mjaftueshme.

“Mendoj se në të ardhmen duhet rishikuar buxheti për këtë sektor, sepse është jo adekuate dhe jo e mjaftueshme për ti mbuluar nevojat e pacientëve në mënyrë të mirëfilltë”, thotë ai.

Në anën tjetër, zoti Hoti thotë se pas prezantimit të strategjisë sektoriale 2010- 2014 dhe planit të veprimit, për 3 vjetët e ardhshme nga ana e MSH-sw, është kthyer besimi i donatorëve që ta mbështesin shëndetësinë kosovare.

Ai përmend disa nga donatorët që vazhdimisht kontribuojnë në sistemin shëndetësor, duke e marrë parasysh që buxheti për shëndetësinë ka qenë gjithmonë jashtë mundësive për ti mbuluar gjitha kërkesat.

Sipas tij është një ndihmë tejet e madhe, sidomos në këtë kohë kur ky institucion po pretendon ti qaset një reforme të sistemit shëndetësor.

Në vitin që vjen, Ministria e Shëndetësisë do të mbështetet me disa projekte kapitale me disa donacione me vlerë të madhe nga komisioni evropian me mbi 1 milion e 400 mijë euro dhe nga USAID-i me një donacion prej 1 milion dollarësh”.

Sivjet ka një interesim më të madh në sektorin e shëndetësisë për donacione, por duket që do të jetë në rritje duke e marrë parasysh zotimin e donatorëve. Kemi pasur vitin e kaluar nga projekti ‘hope’ ndihmë për barna ku e ka mbështetur me rreth 4 milion euro”, shprehet Hoti.

Deri kur qeveria të marrë vendim për rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë, pacientëve u mbetet të blejnë shumicën e barërave gjatë trajtimit të tyre në Qendrën Klinike Universitare.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG