Ndërlidhjet

Të gjendet zgjidhje për veriun


Pamje nga veriu i Mitrovicës

Pamje nga veriu i Mitrovicës


Njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Serbi thonë se pas veprimeve të 25 korrikut në veri, Prishtina zyrtare duhet ta shfrytëzojë shansin për të rivendosur, pas më shumë se dhjetë vitesh të mungesës së ekzistimit, sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit.

Koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd Dushan Janjiq, i tha Radios Evropa e Lirë se autoriteteve përgjegjëse u nevojitet një koordinim i mjaftueshëm me faktorin ndërkombëtar për të shtrirë sundimin e ligjit edhe në veri.

Dushan Janjiq
Nëse veç e analizoni për shembull tregtinë me narkotikë ose me qenie njerëzore do ët gjeni rrjete të përbashkëta të përbëra nga serbët e shqiptarët veçanërisht në Mitrovicë dhe në Vushtrri. Sidoqoftë, veprimi është i nevojshëm dhe mendoj se po ikë koha për ta bërë këtë. Dikur, edhe Prishtina edhe Beogradi duhet të ballafaqohen me këtë problem serioz-nuk është mirë nëse ata përpiqen ta fajësojnë vetëm njërën palë”, vlerësoi ai.

Dhuna që kishte shpërthyer pas aksionit policor në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri ishte vënë nën kontroll nga trupat e misionit të NATO-s në Kosovë.

Ky mision, ditë më parë, arriti veç e veç pajtueshmëri me palën serbe dhe atë kosovare për situatën në veri.

Shefi i departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, e cilësoi këtë konsensus si paraprak, ndërsa theksoi nevojën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me të cilën do të zgjidhej çështja e veriut për periudhën afatgjate.

Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje ekzistojnë gjasat që të përkeqësohet dhe të përshkallëzohet situata.
E gjithë kjo do të varet pastaj prej një marrëveshjeje përfundimtare që do të arrihet. Rrethanat që ndodhën me 25 ishin një paralajmërim që tregon se sa eksplozive është gjendja në veri dhe nuk bëhet fjalë vetëm për pikat 1 dhe 31-bëhet fjalë për të gjithë pjesën veriore të Kosovës ku nuk sundon ligji fare, ku nuk ka ushtrim të autoritetit dhe kjo do të varet prej marrëveshjes. Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje ekzistojnë gjasat që të përkeqësohet dhe të përshkallëzohet situata”, tha ai për të shtuar se një marrëveshje e tillë mund të gjendet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, i cili pritet të vazhdojë në shtator të këtij viti.

Baliqi konsideroi se diskutimet e palëve për çështjen e veriut duhet ta kenë për qëllim zgjidhjen e problemeve që ndërlidhen jo vetëm me pikat doganore, por edhe me regjistrimin e popullsisë, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe çështje të tjera realizimi i të cilave, siç tha ai, është penguar nga strukturat e instaluara të Beogradit në veri.

Mirëpo, mundësinë që veriu të jetë temë diskutimi në tryezën e bisedimeve në Bruksel, e hodhi poshtë Janjiq.

Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet ta diskutojnë çështjen e decentralizimit dhe çështjen e mbrojtjes së komunitetit serb si formë e zgjidhjes së problemit të veriut”, tha Janjiq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG