Ndërlidhjet

Serbët sinjalizojnë pajtim


Një nga bllokadat e vendosura nga serbët në veri të Mitrovicës.

Një nga bllokadat e vendosura nga serbët në veri të Mitrovicës.

Pajtueshmëria e arritur të premten mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, për situatën në veri, duket se ende nuk ka nisur së zbatuari. Vetë, përfaqësues të KFOR-it, thonë se po vazhdon situata e njëjtë. Ndërsa, edhe pse lejohet kalimi i konvojit të KFOR-it, barrikadat mbeten në rrugë. Në anën tjetër, serbët e veriut pas takimit që kanë pasur me presidentin Tadiq, kanë sinjalizuar se do të përmbushin obligimet, që dalin nga pajtueshmëria e arritur me KFOR-in.

Tri ditë pas arritjes së pajtueshmërisë mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, situata në veri mbetet e njëjtë, me një qetësi të tensionuar e bllokada në rrugë.

Megjithatë, serbët lokalë sinjalizojnë, se mund t’i binden obligimeve që dalin nga pajtueshmëria, e që nënkuptojnë heqjen e të gjitha bllokadave rrugore, të cilat i kanë vendosur pas ndërhyrjes së njësisë speciale të policisë për të futur nën kontroll pikat kufitare në veri.

Përfaqësues të KFOR-it bëjnë me dije se nuk ka ende zbatim të asaj për të cilën është arritur pajtueshmëria të premten.

Nuk jam i sigurt nëse mund të quhet zbatim, sepse në parim ne po vazhdojmë me masat tona që kanë qenë valide më 5 gusht, kështu që sipas meje, nuk është zbatim i vërtetë, po vazhdojmë me situatën që ka qenë valide më 5 gusht”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Vihter, për të shtuar se bllokadat në rrugë vazhdojnë ende, por duke lejuar tani lirinë e lëvizjes.

Bllokadat rrugore nuk janë hequr në tërësi. Bllokada në Rudare është ende atje, për shkak se ka vështirësi, sepse atje është dërguar material i rëndë, megjithatë kalimi mundësohet në rrugë dytësore, dhe konvoji ynë i KFOR-it mund të kalojë. Liria e lëvizjes është e garantuar, por barrikadat janë ende aty. Këtë e kutpojmë, duhet kohë për të diskutuar, duhet që ta diskutojnë me Beogradin, duhen diskutime për të bindur të gjithë pjesëmarrësit”, tha Vihter.

Në anën tjetër, liderët e serbëve të veriut, kanë vendosur t’i binden pajtueshmërisë, vetëm pas takimit që kanë zhvilluar të dielën në mbrëmje me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.

Një nga përfaqësuesit e serbëve lokalë, Radenko Nedelkoviq, tha se palët janë dakorduar për rëndësinë e unitetit dhe të paqes në pjesën veriore të Kosovës.

Përfaqësues të serbëve lokalë në katër komunat veriore të Kosovës do të mbajnë të martën një takim të përbashkët ku, siç është thënë do të shqyrtohet situata e sigurisë në veri, por edhe detyrimet që dalin nga pajtueshmëria e arritur me KFOR-in.

Njëri nga liderët lokalë, Kërstimir Pantiq pret mirëkuptimin e serbëve tjerë.

Jam i sigurt që nesër këshilltarët do të kuptojnë domethënien e kësaj marrëveshjeje, posaçërisht pas raportit që do të prezantojmë, i cili ka për bazë bisedën me presidentin Tadiq. Pres që Kuvendi do të sjellë vendim të mençur dhe që do të jetë në interes të popullit serb”, tha Pantiq, i cili thekson se qytetarët tashmë janë pak a shumë të bindur për largimin e barrikadave.

Pres që Kuvendi do të sjellë vendim të mençur dhe që do të jetë në interes të popullit serb.
Disponimi në mes të qytetarëve për largimin e barrikadave është në nivel të lartë. Jam i bindur se ata do të pranojnë vendimin që do të merret nesër”, tha Pantiq.

Pajtueshmëria e bërë publike të premten, është vlerësuar nga kryeministri Hashim Thaçi si e arritura më e madhe që nga pavarësia e Kosovës.

Ky plan 10 pikësh, që ruan gjendjen e krijuar pas 25 korrikut, është arritur pas disa ditë negociatash mes komandantit të KFOR-it dhe zyrtarëve të Prishtinës e Beogradit.

Prishtina zyrtare, synon që përmes këtij plani të ndalojë tërësisht kontrabandën që ka hyrë nga pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, duke shtrirë kontrollin atje.

Pas dhunës së shfaqur më 26 korrik, ku mbet i vrarë një polic shqiptar dhe u djeg pika 1 në Jarinë, KFOR-i i ka shpallur të dy pikat zona të kufizuara ushtarake.

Përfaqësues të KFOR-it, kanë thënë se aty mund të kalojnë automjete private, autobusë, por jo edhe kamionë me mallra komerciale, duke përjashtuar këtu ndihmat që Kryqi i Kuq i Serbisë dërgon në veri.
XS
SM
MD
LG