Ndërlidhjet

Liderët synojnë qetësimin e tregjeve financiare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Liderët botërorë po synojnë qetësimin e tregjeve financiare, pas degradimit të paprecedent të rejtingut kreditor të Shteteve të Bashkuara, dhe për shkak të krizës së borxheve në eurozonë.

Në fund të javës së kaluar, agjencia Standard&Poor’s, vendosi ta ulë rejtingun afatgjatë kreditor të Shteteve të Bashkuara, nga 3A+ në 2A+.

Por, në Uashington, sekretari i trezorit i Shteteve të Bashkuara, Timoti Gajtner, e ka kritikuar këtë agjenci duke thënë se ajo tregoi “vlerësim të tmerrshëm” duke e ulur rejtingun kreditor amerikan për të parën herë deri tash.

S&P ka treguar vërtetë vlerësim të tmerrshëm dhe ata e kanë udhëhequr vetveten shumë keq. Ata, po ashtu, kanë treguar mungesë të theksuar të dijes për matematikën e buxhetit fiskal bazik të Shteteve të Bashkuara, dhe mendoj se ata kanë nxjerrë saktësisht konkluzion të gabueshëm”, tha Timoti Gajtner.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se sekretari Gajtner, mbetet në postin e tij, përkundër thirrjeve të disa ligjvënësve republikanë, për dorëheqjen e tij për shkak të uljes së rejtingut.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, tha se presidenti Barak Obama “ka kërkuar nga sekretari Gajtner, që të mbetet në postin e tij në thesar dhe e ka mirëpritur vendimin e tij”, për ta vazhduar punën në këtë post.

Java e fundit ishte e trazuar për shkak se u panë humbje të miliarda dollarëve të vlerës së tregjeve globale, nga shqetësimi lidhur me ripërtëritjen e butë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe përhapjen e krizës së borxheve në eurozonë.

I alarmuar nga këto shqetësime, Grupi i Shtatë vendeve industrialisht më të zhvilluara në botë ka kumtuar se anëtarët e grupit janë të “përkushtuar për të reaguar në mënyrë të koordinuar” për stabilizimin e tregjeve globale.

Njëherësh, anëtarët e Grupit të 20 vendeve industrialisht më të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, po ashtu sot, thanë se janë të gatshme për të vepruar së bashku për stabilizimin e tregjeve financiare dhe për ta mbrojtur rritjen ekonomike.

Më tutje, për shkak të shqetësimeve në rritje se Spanja dhe Italia mund të përfshihen në krizën e borxheve të eurozonës, për shkak të deficitit të buxhetit të tyre, Banka Qendrore Evropiane, doli në skenë për ta ulur presionin, duke sinjalizuar se ishte e gatshme për t’i blerë letrat me vlerë të qeverive në Spanjë dhe Itali.

Banka Qendrore Evropiane njoftoi se “aktivisht” do t’i ripërtërijë blerjet e obligacioneve të eurozonës nga ekonomitë me probleme, pasi Italia dhe Spanja, shpallën masa të reja dhe reforma për nxitjen e ekonomive të tyre dhe për t’u marrë me shkaqet, që i kishin rritur huat e tyre në nivele rekorde. (f. b.)
XS
SM
MD
LG