Ndërlidhjet

(S')ka mallra të kontrabanduara


Vendkalimi kufitar në Merdare.

Vendkalimi kufitar në Merdare.

Parimi i reciprocitetit vazhdon të zbatohet në tërë territorin e Kosovës, edhe pas arritjes se pajtimit në mes KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit, thonë zyrtarë të qeverisë. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, shprehin drojën se serbët do të përdorin rrugët alternative, për futjen e mallrave të tyre në mënyrë ilegale në tregun kosovarë.

Edhe 18 ditë pas vendosjes se masave reciproke ndaj produkteve serbe, asnjë mall i këtij shteti nuk ka arritur që të hyjë në territorin e Kosovës, nga asnjë vendkalim kufitar i Republikës se Kosovës, përfshirë këtu edhe pjesën veriore të vendit, thonë zyrtarë të qeverise.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, njëherësh Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se masat e reciprocitetit janë duke u zbatuar në tërë territorin e vendit.

Sipas informacioneve zyrtare që ne kemi jo, për shkak se nuk lejohet hyrja e mallrave komerciale në asnjë nga pikat kufitare në Kosovë, përfshirë këtu edhe pikën 1 dhe 31, të cilat janë shpallur si zona të kufizuara ushtarake”, tha Kusari – Lila.

Ndryshe, njohës të çështjeve ekonomike nuk janë optimistë se në Kosovë nuk do të hyjnë produkte serbe.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se serbët do të përdorin rrugë alternative, që në mënyrë ilegale të fusin mallrat e tyre në Kosovë.

Bektashi, konsideron se pjesa veriore e Kosovës, e pikërisht porta 1 dhe 31 do të shfrytëzohet nga kontrabanduesit.

Sipas tij, vetëm vendosja e doganierëve dhe policëve kosovarë në këto dy pika mund të parandalojë futjen e mallrave ilegale në Kosovë.

Mos vendosja e doganierëve në pikat kufitare, lë hapësirë dhe mundësi, që edhe më tej, përmes mallrave humanitare ose konvojeve humanitare, të futen mallra të ndryshme të kontrabanduar nga Serbia”, tha Bektashi.

Edhe Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik, thotë se pa vendosjen e doganierëve kosovarë në të dyja pikat, vështirë se do të mund të mbyllen mundësitë për eliminimin e mallrave të kontrabanduara.

Por, kjo në radhë të parë do të bëhet, kur krahas prezencës së fuqishme të KFOR-it, do të vendosen edhe doganierët dhe policët kosovarë, në mënyrë që kjo të implementohet në përpikëri masa kundërvepruese e Qeverisë se Kosovës”, tha Sadiku

Ndryshe, në pajtueshmërinë e arritur para tri ditësh në mes të KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit, thuhet se do të krijohen kushte që, përveç ushtarëve të KFOR-it, në të dy vendkalimet të dërgohen policë dhe doganierë kosovarë.

Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, ndërsa situatën në kontroll e mbajnë përfaqësues të KFOR-it.

Por, çfarëdo konsumi i cili tejkalon masën e konsumit familjar, kthehen mbrapsht nga përfaqësuesit e KFOR-it.
Mimoza Kusari- Lila, shprehet se ekzistojnë rrugë alternative për futjen e mallrave serbe në mënyrë të paligjshme, por pajtimi i arritur më përfaqësues të KFOR-it, sipas saj, parasheh që edhe në rrugët alternative të vendosen pengesa fizike dhe patrullimi i ushtarëve të jetë më i shtuar.

Prandaj, tërësisht është bllokuar hyrja për çfarëdo malli në formën komerciale, gjegjësisht më sasi më të madhe. Ndërsa, secili individ që jeton në këtë pjesë të Kosovës, me makinë mund të shkojë dhe të marr furnizime për konsum familjar. Por, çfarëdo konsumi i cili tejkalon masën e konsumit familjar, kthehen mbrapsht nga përfaqësuesit e KFOR-it”, u shpreh Kusari - Lila.

KFOR-i ka në kontroll të dyja pikat, të cilat kohë më parë i ka shpallur zona të kufizuara ushtarake.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG