Ndërlidhjet

Lavrov e quan "rast patologjik" Sakashvilin


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kritikuar presidentin e Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, duke e quajtur "një rast patologjik".

Lavrov i ka bërë këto komente gjatë shënimit të përvjetorit të tretë të luftës Rusi-Gjeorgji.

"Nuk kemi të bëjmë asgjë me një person që ka urdhëruar vrasjen e paqeruajtësve, që ka urdhëruar vrasjen e civilëve paqësorë, përfshirë qytetarë të Federatës Ruse”, ka thënë Lavrov.

"Mikhail Sakashvili është një rast patologjik. Ai është një anomali në mesin e njerëzve gjeorgjianë", ka shtuar Lavrov.

Konflikti shpërtheu më 8 gusht, 2008, kur trupat gjeorgjiane u përpoqën pa sukses të rimarrin kontrollin mbi rajonin separatist të Osetisë Jugore. Rusia dërgoi trupa, të cilat mposhtën shpejt ushtarët gjeorgjianë.

Që atëherë, Rusia ka përforcuar praninë e saj ushtarake në Osetinë e Jugut dhe në rajonin tjetër separatist të Gjeorgjisë - Abkhazinë. Moska ka njohur dy rajonet në fjalë si shtete të pavarura.
XS
SM
MD
LG