Ndërlidhjet

EULEX me më shumë patrulla në veri


Policia e EULEX-it.

Policia e EULEX-it.

Policia e Kosovës pritet ta vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in pas normalizimit të situatës në veri të Mitrovicës, njoftojnë autoritetet vendore të sigurisë. Deri atëherë, thuhet se trupat e KFOR-it do të kenë përgjegjësinë kryesore në atë pjesë të Kosovës.

Pas arritjes së pajtueshmërisë ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe misionit të NATO-s në vend lidhur me situatën në veri të Mitrovicës, mekanizmat e tjerë të sigurisë duket se kanë marrë rol dytësor në mbajtjen nën kontroll të situatës atje. Policia e Kosovës bëri të ditur se pas normalizimit të gjendjes në veri ajo do të mund ta ushtrojë mandatin e saj.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, shpjegoi:

Të gjitha ato që njësitet e specializuara është dashur t’i kenë në këtë fazë-përgjegjësitë e tilla kanë kaluar në kompetencë të KFOR-it deri në një afat të pacaktuar. Besoj se shumë shpejt situata do të ri-normalizohet dhe Policia e Kosovës dhe EULEX-i ta kenë rolin që e kanë të përcaktuar me mandat”, u shpreh Hoti.

Me gjithë kërkesat e autoriteteve kosovare për ndryshimin e qasjes së misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ndaj pjesës veriore të Kosovës, në EULEX thonë se misionarët evropianë mbesin të përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit në veri në përputhje me mandatin e misionit.

Zëdhënësi i EULEX-it, Kai Mueller-Berner, njoftoi se pas ngjarjeve të 25 korrikut ky mision ka shtuar numrin e patrullimeve në veri të Mitrovicës, ndërsa nuk dha detaje për ndryshimet eventuale në numrin e përfaqësuesve të EULEX-it në polici, dogana e gjykata.

Numri i anëtarëve të stafit është duke u përshtatur në mënyrë konstante sipas nevojës. EULEX-i vazhdon ta ketë një prani të fuqishme në veri-në gjykatë dhe në pikat kufitare. Kemi rritur dukshëm numrin e patrullimeve policore, veçanërisht në zonat shumë-etnike. Stafi ynë vazhdon të mbetet në shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës dhe duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, disa nga anëtarët e stafit janë zhvendosur përkohësisht”, njoftoi ai.

Mirëpo, analistët politikë në Prishtinë, theksojnë rëndësinë që në Bashkimin Evropian të rishqyrtohet mandati i misionit EULEX. Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme tha se paqartësitë kryesore lidhur me rolin e EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës burojnë nga paqartësitë ekzistuese në Bruksel që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës.

Ideja që EULEX-i duhet të jetë neutral ndaj statusit ia lidh faktikisht duart EULEX-it dhe nuk e lë të veprojë atë. Shpesh herë EULEX-i për shkak të Brukselit dhe frikës së Brukselit se mos po përzihet, se mos po merr anë, se mos po duket që po përkrah pavarësinë e Kosovës, pengon EULEX-in të veprojë. Andaj, EULEX-i nuk po mund ta kryejë punën e vet”, tha ai duke theksuar rëndësinë e rishqyrtimit të rolit të EULEX-it në Bashkimin Evropian.

Edhe pse EULEX-i vazhdon të jetë i pranishëm në veri të vendit, Arifaj vlerësoi se që nga instalimi i tij në Kosovë ky mision nuk ka arritur të ndikojë në përmirësimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve në veri.

Mandati i EULEX-it buron nga rezoluta 1244 e kombeve të Bashkuara, ndërsa angazhimi i tij në Kosovë u bë pas një vendimi të BE-së dhe pas ftesës së Prishtinës zyrtare. Edhe pse njeh ligjet e Kosovës, ky mision është neutral karshi statusit të vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG