Ndërlidhjet

logo-print

Xhaferi: Shqiptarët besnikë ndaj institucioneve të shtetit


Macedonia --- Musa Xhaferi

Macedonia --- Musa Xhaferi

"Ne mund të konstatojmë se Marrëveshja e Ohrit ka ndikuar që shqiptarët të jenë besnikë ndaj institucioneve të shtetit sepse janë bërë bartës dhe janë udhëheqës kryesorë në më shumë institucione", tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, për Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferi nga ky dimension kohor prej 10 vitesh, si do ta definonit Marrëveshjen e Ohrit, sa ka arritur ky dokument kornizë të përmirësojë raportet ndëretnike, kontribuojë në krijimin e besimit të shqiptarëve ndaj shtetit si dhe të ndërtojë Maqedoninë si shtet multietnik me demokraci sipas standardeve të vendeve të BE-së?

MUSA XHAFERI
Se marrëveshja politike e Ohrit ka arritur që të kthej paqen, krijojë parakushte mes palëve që të kenë dialog dhe të fillojnë reformat në Kushtetutë dhe në tërë sistemin në përgjithësi ne jemi dëshmitarë. Po, ne mund të jemi kritikë ndaj asaj sa mund të jemi të kënaqur me dinamikën e implementimit të përgjithshëm të Marrëveshjes së Ohrit që është çështje e hapur.

Ne mund të konstatojmë se Marrëveshja e Ohrit ka ndikuar që shqiptarët të jenë besnikë ndaj institucioneve të shtetit sepse janë bërë bartës dhe janë udhëheqës kryesorë në më shumë institucione, dhe me këtë, dilemat hiqen se faji qëndron tjetër kund.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të fillojmë të kërkojmë përgjegjësi edhe ndaj vetvetes, nëse ne konkretisht jemi ministra, deputetë, kryetar gjyqesh, faktikisht varet drejtpërdrejt edhe nga ne pse qytetarët nuk kanë besim në ato institucione, ato organe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferi, ndonëse dy nga shtyllat kyçe të Marrëveshjes së Ohrit janë implementimi i shqipes si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet si dhe përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucionet e sistemit, edhe përkundër miratimit të ligjit të veçantë, opozita shqiptare ka adresuar një varg akuzash për paaftësinë e partisë suaj për t’i implementuar këto dy shtylla, njëherit edhe duke e cilësuar Marrëveshjen e Ohrit si dokument të vdekur. Ku qëndron defekti? Në mos-vullnetin e palës maqedonase apo diku tjetër?

MUSA XHAFERI
Unë nuk marr përgjegjësi për atë se çka deklaron opozita. Por të thuash se Marrëveshja e Ohrit është e vdekur është përgjegjësi e madhe dhe është një borxh i madh ndaj opinionit, së pari ndaj anëtarësisë së atij grupi politik, dhe jo vetëm aq, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve, por edhe më gjerë. Edhe ndaj faktorit ndërkombëtarë që ka investuar dhe vazhdon të investojë në këtë dokument, sepse tangon paqen e brendshme por edhe të rajonit më gjerë.

Fatkeqësisht opozita gjer më tani luan rolin e kriticizmit, duke mos ofruar ndonjë alternativë konkrete. BDI duke qenë pjesë e qeverisë gjer në këtë volum, ka arritur të garantojë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, cilado qofshin ato.

Faktikisht, aq sa është avancuar edhe në aspektin global, marrëveshja politike e Ohrit edhe në temat konkrete siç është përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, është BDI që i ka zbërthyer ato programe politike të Marrëveshjes së Ohrit nga kushtetuta, i ka implementuar dhe BDI është autore, nuk e them sa për egoizëm politik, por është realitet gjatë këtyre 10 viteve.

Faktikisht partneri që na kritikon nuk është adekuat nuk i plotëson kriteret minimale demokratike, vetëm na kritikon, duke mos ofruar alternativë. Pra bëhet një gabim logjik kur thuhet se Marrëveshja e Ohrit është e vdekur, nuk funksionon dhe se ajo duhej të implementohet deri në fund të 2004 apo 2007-2008. Cila është logjika se mundet një pjesë e kushtetutës ku ka amendamente të rëndësishme t’i komentojë dikush se janë të vdekura.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferi, tani BDI drejton tre sektorët kyç që lidhen me procesin e integrimeve, mund të shpresohet në dis-bllokimin e procesit integrues, ndonjë hap konkret që do të çonte në realizimin e aspiratave të Maqedonisë që të jetë sa më parë pjesë e BE-së dhe NATO-s?

MUSA XHAFERI
Fillimisht më duhet të theksoj se me partnerin tonë të koalicionit kemi një program të përbashkët të veprimit, të bashkëqeverisjes, sepse ndryshe nuk mund të funksionojmë. Së dyti më duhet të theksoj se ne duke pasur përvojën e deritanishme si parti politike, kemi arritur besim dhe bindim me argument se ne si parti politike mund t`i drejtojmë dhe ministritë më të rëndësishme, se ata të cilët do të jenë menaxhues politikë të këtyre institucioneve, do të japin kontribut frytdhënës, do të kenë një qasje më afirmative drejt këtyre proceseve, por gjithsesi se këto procese bëhen bashkarish edhe me të tjerët.

Faktikisht, ashtu siç ka pretenduar dhe pretendon Marrëveshja e Ohrit, që të këtë një integrim të të gjitha bashkësive në kuadër të institucioneve të shtetit. Pra, integrimi për ne paraqet mundësinë që t`iu jepet shans i njëjtë të gjithëve, pavarësisht përkatësisë etnike, që të jenë bartës të institucioneve shtetërore, qofshin dhe ato më të lartat.

Tjetra, këto ditë kaluan festat e Republikës së Krushevës, dhe faktet flasin se dokumentet historike dëshmojnë se ministri i mbrojtjes në atë kohë ka qenë një shqiptar. Se ai dokument (Manifesti i Krushevës) është arritur me një konsensus shumë të gjerë politik mes maqedonasve vllehve dh shqiptarëve, tani nuk është larg asaj fryme edhe Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta aktuale e Maqedonisë .

Të paktën unë kështu e shoh,ndoshta shumë më i avancuar ka qenë ai manifest i republikës së Krushevës që ka paraparë që atëherë se duhet të ketë një demokraci konsensuale, së cilës duhet gjetur modeli normativ se si do të duket një Kushtetutë. Dhe ne këto porosi duhet të angazhohemi ti përcjellim dhe realizojmë sepse janë afirmativ dhe në funksion të ardhmes së vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, ju në këtë post, në krye të dikasterit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, vini për herë të dytë, mund të na thoni atëherë çka ka mbetur pa u bërë, pa u realizuar nga Marrëveshja e Ohrit, cilat pika të këtij dokumenti hasin në probleme gjatë imlementimit edhe kundrejt miratimit të ligjeve që burojnë nga kjo marrëveshje, dhe cilat do të jenë ato segmente në të cilat do të fokusoheni si në aspektin politik, ashtu dhe atë ekonomik për implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit?

MUSA XHAFERI
Ne e kemi rishikuar dhe kemi arritur të jemi dakord me partnerin e koalicionit se posti i zëvendëskryeministrit do mbulojë të gjitha që tangon apo ndërlidh Marrëveshja e Ohrit, që do të thotë se tejkalon sistemin politik dhe ka të bëjë edhe me sistemin e shpërndarjes së financave publike.

Ne në fund të fundit aty jemi më të ndjeshëm edhe si qytetarë, edhe si përfaqësues të një bashkësie etnike, se vallë ka një shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të financave publike në shtet, pavarësisht edhe prejardhjes etnike për arsye se qytetaret jetojnë të përzier, edhe nëpër komuna edhe në nivel global, dhe aty vërehet drejtë për së drejti se ka një shpërndarje të barabartë të fondeve dhe financave publike nëpër rajone dhe komuna, apo jo që është edhe një normë demokratike.

Sa kemi arritur që te krijojmë klimë që përdorimi i gjuhës shqipe në baze të ligjeve dhe Kushtetutës nuk do te thotë se është në armiqësi me gjuhën maqedonase, se është në armiqësi me kulturat tjera, si ta kuptojmë, si ta ndryshojmë perceptimin e qytetarëve se bashkëjetesa e gjitha këtyre kulturave është e mundshme, nëse sistemi politik, sistemi kushtetues dhe ligjet ofrojnë hapësire të tillë.

Ky ka qenë edhe qëllimi i marrëveshjes politike të Ohrit, dhe në këtë drejtim të një dinamike të gjatë që ne duhet të punojmë vazhdimisht . Ne nuk mund të konstatojmë me automatizëm se është kryer kjo.
XS
SM
MD
LG