Ndërlidhjet

Kosova (s')ka nevojë për kredi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria e Kosovës tashmë ka nënshkruar marrëveshje më Bankën Botërore për marrjen e një kredie. Lidhur më këtë, ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme. Disa mendojnë se Kosova ka nevojë për kredi, të tjetër konsiderojnë se hyrja në obligime kreditore është e panevojshme, pasi këto ngarkojnë buxhetin e vendit.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë, japin vlerësime të ndryshme rreth marrëveshjes së Qeverise së Kosovës me Bankën Botërore për marrjen e një kredie.

Javën e kaluar, ekzekutivi i vendit ka marrë kredi nga ky institucion financiar ndërkombëtar, në vlerë prej 4.3 milion eurosh, me qëllim të mbështetjes së sektorit financiar dhe infrastrukturës së tregut.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e konsideron të panevojshme këtë kredi, pasi që, sipas tij, ekonomia e Kosovës nuk ka vetë akumulim të mjeteve materiale dhe kreditë e tilla në të ardhmen do ta ngarkojnë buxhetin e Kosovës.

Musa Limani
Në këtë moment, kur Kosova është 2 miliard euro deficiti të bilancit apo pagesave, dhe tash të hyhet në kredi, pavarësisht kushteve të volitshme, unë mendoj se është e panevojshme. Me gjitha afatin e kthimit, ato një ditë do të kthehen. Dhe sido që të jetë, kredia si kredi gjithnjë e ngarkon ekonominë e vendit dhe buxhetit. Prandaj, si do që të jetë, unë mendoj se këto kredi janë të panevojshme”, thekson Limani.

Ndryshe mendon Rudina Heroi, nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP.

Ajo e vlerëson të qëlluar marrjen e kredisë, pasi që, sipas saj, këto mjete, do të shkojnë në sektorë të nevojshëm.

Për qëllimin për të cilin është marrë, është sigurisht i nevojshëm për vendin. Megjithatë, duke ditur se marrëveshja mes Kosovës dhe FMN-së ka dështuar, atëherë të gjitha marrëveshjet kreditore të cilat po i nënshkruan Kosova, tani ne po i shohim më një sy më kritik. Por, dua të theksoj edhe një herë, se qëllimi për të cilin është marrë kjo kredi është shumë i nevojshëm”, shprehet Heroi.

Por, dua të theksoj edhe një herë, se qëllimi për të cilin është marrë kjo kredi është shumë i nevojshëm.
Por, Musa Limani, thekson se institucionet vendore më këtë shumë është dashur të mbështesin projektet kapitale të cilat do të mund t’i sillnin zhvillim ekonomik Kosovës.

Kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç është Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim mund të merren pasi që jepen me kushte të volitshme, mirëpo ato të avancohen në prodhimtari, do të thotë në zhvillimin ekonomik”, thotë Limani.

Sidoqoftë, kredia është marrë për një periudhë 20 vjeçare dhe “grejs” periudhë prej 10 vjetësh, periudhë kjo që nënkupton mos shpagimin e këstit të kredisë.

Rudina Heroi, konsideron se kredia ka kushte të volitshme, pasi që deri në kohën e paraparë për fillimin e pagesës së kësteve, Kosova do të këtë zhvillim ekonomik.

Edhe pse ne tani nuk mund të dimë se si do të qëndrojmë në 10 vitet e ardhshme, por periudhat e tilla parashihen se do të ketë zhvillim ekonomik.
‘Grejs’ periudha është në benefit (përfitim) të Kosovës nëse e shikojmë, sepse kjo na lejon, në rast se ndodhemi në pozitë të keqe financiare, atëherë ta shtyjmë pagesën për 10 vite. Edhe pse ne tani nuk mund të dimë se si do të qëndrojmë në 10 vitet e ardhshme, por periudhat e tilla parashihen se do të ketë zhvillim ekonomik. Dhe ne shpresojmë se qeveria do të mendojë drejt atij hapi. Kështu që “grejs” periudha 10 vjeçare, megjithatë shihet si, gjë pozitive”, konsideron Heroi.

Në qershor të vitit 2009 Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa ende pa mbushur një vit nga anëtarësimi, në muajin mars të vitit 2010, Kosova ka fituar kredinë e parë nga ky institucion, në vlerë prej 20.25 milion dollarësh.
XS
SM
MD
LG