Ndërlidhjet

Furnizimi me barna ne vendbanimet serbe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë shprehen të gatshëm të bëjnë furnizimin me barna nga lista esenciale në gjitha institucionet shëndetësore, duke përfshirë edhe enklavat serbe. Ndërkaq, Rada Trajkoviq, drejtoreshë e qendrës së mjekësisë familjare në Graçanicë, thotë se tashmë ka filluar të ndjehet mungesa e barnave në institucionet shëndetësore serbe, por kërkesa për furnizim nga ministria e shëndetësisë ende nuk është bërë.

Institucionet shëndetësore që gjenden në lokacionet e banuara me shumicë serbe në Kosovë, që nga përfundimi i luftës, janë furnizuar me barna dhe materiale mjekësore nga Serbia.

Këto institucione, asnjëherë nuk kanë shprehur interesim që të furnizohen me barna nga institucionet kosovare, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Fusha, drejtor i departamentit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shumë institucione nuk e kanë shprehur interesimin të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe t’i shfrytëzojnë privilegjet, kanë refuzuar.
Shumë institucione nuk e kanë shprehur interesimin të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe t’i shfrytëzojnë privilegjet, kanë refuzuar”, thotë Fusha.

Por Rada Trajkoviq, drejtoreshë e qendrës së mjekësisë familjare në Graçanicë, njëherit deputete në Kuvendin e Kosovës, tregon se pas ndalimit të futjes se mallrave serbe në Kosovë, gjendja, sipas saj, po bëhet alarmante.

Ajo thotë se mungojnë barnat nga lista esenciale, ndërsa bombolat e oksigjenit, thotë ajo, janë në përfundim e sipër.

Zonja Trajkoviq thotë se për të kërkuar medikamente nga Ministria e Shëndetësisë nuk do të hezitonte, por procedurat për të kërkuar një gjë të tillë, thotë ajo, shkojnë përmes komunës së Graçanicës.

Unë nuk kam kurrfarë problemi të kërkoj apo të pranoj ndihmë nga kushdo, posaçërisht nuk e kam problem të pranoj barna nga institucionet e Kosovës. Por mendoj se administrata lokale duhet t’i ketë kanalet e veta që të kërkojë barna. Unë kam biseduar me zyrtarë nga komuna e Graçanicës, dhe e kam parë se ata nuk kanë përgjigje lidhur me furnizimin me barna për enklavat serbe”, shprehet ajo.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të komunikojë me kryetarin e komunës së Graçanicës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai.

Ministria e Shëndetësisë shprehet e gatshme të bëjë furnizimin më barna në të gjitha institucionet shëndetësore, pavarësisht lokacionit se ku gjenden ato, thotë Bekim Fusha.

Për Ministrinë e Shëndetësisë, secili institucion e ka tretmanin e njëjtë, pavarësisht se prej cilës pjesë të Kosovës vinë kërkesat për furnizim”, bën të ditur ai.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se në këtë ministri është paraparë furnizimi me barna i të gjitha institucionet shëndetësore, në gjithë territorin e Kosovës.
Ministria edhe në të kaluarën ka qenë e gatshme të sigurojë të njëjtën formë të furnizimit për të gjitha komunat e Kosovës, si dhe për të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës. Një mundësi e tillë ekziston edhe tash. Numri i shfrytëzuesve të barnave në enklava serbe është jashtëzakonisht i kufizuar dhe nuk do të ndikojë ajo sasi në mënyrë të dukshme në nivelin e furnizimeve të përgjithshme në vend. Ne jemi duke jetuar në Kosovë dhe duhet të ndajmë atë çka kemi, në mënyrë të barabartë për të gjithë”, thekson Tolaj.

Ndryshe, institucionet e shëndetësisë, te administruara nga serbët në vendbanimet ku ky komunitet përbën shumicën, gjithashtu njihen si struktura paralele të Serbisë, të cilat prej kohësh kanë refuzuar të futen nën ombrellën e institucioneve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG