Ndërlidhjet

Angazhim i përbashkët për veriun


Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Përfaqësues të shteteve të Kuintit dhe njohësit e rrethanave politike në Prishtinë ritheksuan nevojën për një bashkëpunim të ngushtë në mes të autoriteteve vendore dhe mekanizmave ndërkombëtarë në drejtim të zgjidhjes së problemeve aktuale në veri të vendit. Komentet lidhur me këtë çështje ata i bënë në një konferencë të organizuar nga organizata joqeveritare “FOL” gjatë së cilës u diskutua edhe për masat e reciprocitetit ndaj produkteve serbe.

Situata e krijuar në veri duhet të stabilizohet, dhe për të krijuar një ambient të qetë nevojitet një angazhim i përbashkët i faktorit vendor dhe ndërkombëtar, theksoi ambasadori i Francës në Prishtinë, Fransua Fitu.

Ai e cilësoi të ndjeshme gjendjen në veri të vendit, ndërsa shfaqi shpresën që ajo të mos përkeqësohet më tej.

Gjëja më e mirë për të bërë, sipas pikëpamjes sime është, së pari të ftojmë të gjithë që të mos bëjnë asgjë që do të mund të përkeqësonte situatën. Është ndërmarrë një hap, Qeveria e Kosovës është qeveri e pavarur dhe sovrane e një vendi sovran dhe ka vendosur çfarë ka vendosur”, u shpreh ambasadori Fitu.

Komenti i tij vjen rreth dy javë pas aksionit policor në veri të Mitrovicës dhe pas vendimit të ekzekutivit kosovar për marrjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Fitu tha se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e befasuar me këtë vendim.

Shtrija e autoritetit shtetëror të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës është përmendur tashmë si prioritet i mekanizmave që mbikëqyrin pavarësinë e vendit.

Mirëpo, arritja e këtij synimi, sipas ambasadorit Fitu, nuk do të nënkuptonte përfundimin e bashkëpunimit që Kosova ka me faktorin ndërkombëtar.

Është normale që ta bëhet thirrje për fundin e mbikëqyrjes. Kjo nuk do të thotë prej nesër në mëngjes, por që të mendohet në mënyrë kolektive për të hequr dorë nga pavarësia e mbikëqyrur dhe për ta lënë Kosovën, si çdo vend tjetër, që të jetë sovran në vendin e vet. Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk do të thotë fund i bashkëpunimit”, theksoi ambasadori Fitu.

Diplomati francez theksoi po ashtu rëndësinë që, sa i përket çështjes se vulave të Kosovës të cilat nuk po pranohen nga Beogradi zyrtar, të gjendet një zgjidhje e përbashkët nën mbikëqyrjen e BE-së.

Mirëpo, publicisti Agron Bajrami foli për një qasje tjetër që do të duhej ta kishte dhe ta zbatonte ekzekutivi vendor në veri.

Nëse është dashur të shtrihet sovraniteti në tërë Kosovën për veç marrjes së pikave kufitare, është dashur të izolohen edhe struktura paralele që veprojnë në veri si dhe shumë hapa tjerë që nuk janë ndërmarr e që do të duhej të merreshin”, tha ai.

Bajrami shtoi se intervenimi në veri ka qenë befasues, për faktin se në të kaluarën ka pasur arsye shumë më të mëdha për të intervenuar në atë pjesë sesa çështja e reciprocitetit.

Ndërhyrja, sipas Bajramit, ndonëse e drejtë, nuk i ka shërbyer luftimit të krimit të organizuar.

Përderisa veprimi i 25 korrikut përkohësisht imponon bllokimin e hyrjes së mallrave, me ketë e zbaton reciprocitetin, unë nuk shoh se luftimi i krimit të organizuar është marrë në masën e duhur. Unë mendoj se atë natë, përveç mbylljes së pikave kufitare është dashur të identifikohen njerëzit kryesorë që janë në struktura paralele dhe në strukturat kriminale”, tha ai.
XS
SM
MD
LG