Ndërlidhjet

SHBA, sanksione të reja kundër Bjellorusisë


Shtetet e Bashkuara kanë bërë publike sanksione të reja kundër Bjellorusisë, për shkak të shtypjes së politikanëve, aktivistëve dhe gazetarëve që kanë marrë pjesë në protestat e dhjetorit.

"Sot, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të tjera ekonomike kundër katër ndërmarrjeve të mëdha shtetërore në Bjellorusi", sqaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland.

Ajo kujtoi se sanksionet e reja vijnë pas "kufizimeve të udhëtimit, ngrirjes së aseteve dhe sanksioneve të shpallura më 31 janar".

Ndërkaq, në Bjellorusi, presidenti Aleksander Lukashenko ka falur nëntë nga 41 të shpallurit fajtorë për pjesëmarrje në protestat masive të 19 dhjetorit, të cilat pasuan rizgjedhjen e tij në postin e kreut të shtetit.

Emrat e të amnistuarve nuk janë bërë të ditur nga Lukashenko.

Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë raporton se nëntë të liruarit kanë bërë kërkesë për amnisti, duke pranuar se kanë marrë pjesë në demonstrata, por duke u zotuar se nuk do të angazhohen sërish në aktivitete të tilla.
XS
SM
MD
LG