Ndërlidhjet

logo-print

OKB e shqetësuar për vrasjet në Libi


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rritjen e numrit të viktimave civile në konfliktin në Libi, duke përfshirë këtu edhe viktimat nga sulmet ajrore të NATO-s.

Përmes një deklarate, Ban u ka bërë thirrje "të gjitha palëve", për të përdorur "kujdes të madh" në betejë.

Shefi i OKB-së ka qenë më parë mbështetës i fortë i fushatës ajrore të NATO-s në Libi.

Këshilli i Sigurimit, në muajin mars, ka miratuar një rezolutë për sulme në shtetin libian.

Por, sulmet ajrore të NATO-s, që kanë synim për t’i dhënë fund regjimit të Muamar Gadafit, janë kritikuar nga anëtarët e Këshillit, përfshirë Rusinë, Kinën, Brazilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut - vende këto që pretendojnë se veprimi i NATO-s ka shkuar përtej rezolutës së OKB-së për Libinë.

Në deklaratën e tij, Ban ka deklaruar se ai beson se nuk ka mundësi për një zgjidhje ushtarake të krizës në Libi.

Ban tha se "armëpushimi që është i lidhur me një proces politik është e vetmja mundësi e besueshme për arritjen e paqes dhe të sigurisë në Libi".
XS
SM
MD
LG