Ndërlidhjet

Siria vazhdon shtypjen vdekjeprurëse


Forcat siriane raportohet të kenë nisur me sulme të reja ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Aktivistët thonë se tanket qeveritare kanë sulmuar qytetin Khan Sheikhon të provincës Idlib, duke vrarë një grua.

Një person tjetër raportohet të jetë vrarë kur forcat e sigurisë bënë arrestimin e banorëve në periferi të Damaskut.

Vdekjet e fundit vijnë në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj presidenti Bashar al-Asad për t’i dhënë fund goditjes së dhunshme të protestuesve.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka bërë thirrje Kinës, Rusisë dhe Indisë t’iu bashkohen përpjekjeve për të vendosur sanksione kundër regjimit sirian. Ajo po ashtu ka kërkuar nga Moska të ndalojë shitjen e armëve në Damask.

“Ajo çfarë duhet të ndërmarrim për të bërë presion mbi Asadin, janë sanksionet në industrinë e naftës dhe të gazit. Ne duam që Evropa të ndërmarrë më shumë hapa në këtë drejtim. Duam që edhe Kina, edhe India t’i ndërmarrin këta hapa, sepse India dhe Kina kanë investime të mëdha energjetike brenda Sirisë”, tha Klinton.

Protestuesit pritet të mbushin sërish rrugët e Sirisë pas lutjeve të së premtes.

Rreth 2 mijë persona besohet të jenë vrarë që nga shpërthimi i trazirave në muajin mars.
XS
SM
MD
LG