Ndërlidhjet

logo-print

Kameron: Shkelësit e ligjit do të ndëshkohen


Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, tha se 16 mijë policët shtesë që janë vendosur në Londër për të penguar protestuesit, do të mbeten në rrugë gjatë gjithë fundjavës.

Autoritetet kanë raportuar për vdekjen e një personi 68-vjeçar - i cili ishte sulmuar të hënën - duke rritur në pesë numrin e viktimave që kanë pësuar gjatë trazirave.

Duke folur pas trazirave më të rënda që kanë goditur Britaninë në dekada, Kameron tha se vendi nuk do të goditet nga bandat, ndërsa ata që thyejnë ligjin, shtoi ai, do të ndëshkohen.

“Duhet t’i tregojmë botës – e cila i ka përcjellë e tmerruar – se autorët e dhunës që kemi parë në rrugët tona, nuk janë në asnjë mënyrë përfaqësues të vendit tonë e as të të rinjve tanë. Duhet t’u tregojmë atyre se do ta trajtojmë shoqërinë tonë të thyer, se do të vendosim një ndjenjë më të fortë të morarlit dhe të përgjegjësisë në çdo kohë, në çdo rrugë dhe në çdo pronë”, tha Kameron.

Ai tha se policia, fillimisht, nuk u është përgjigjur në mënyrë adekuate trazirave.

Kameron hodhi poshtë mundësinë që trazirat të kenë ndonjë motiv politik, duke thënë se Anglia është viktimizuar nga kriminelë të thjeshtë, të cilët kanë dashur të vjedhin dhe të vendosin zjarre.

Autoritetet policore thonë se mbi 1,000 njerëz janë arrestuar që nga shpërthimi i trazirave të dielën e kaluar. Trazirat pasuan vdekjen e një të riu zezak në një shkëmbim zjarri me policinë.
XS
SM
MD
LG