Ndërlidhjet

logo-print
Edhe tri javë që nga zbatimi i masave të reciprocitetit, autoritetet përgjegjëse nuk kanë lejuar asnjë produkt serb të hyjë në tregun kosovar. Mallrat me origjinë nga Serbia nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë as nga vendet tjera të rajonit.


Autoritetet kosovare janë të vendosura që të zbatojnë në përpikëri masat e reciprocitetit. Edhe tri javë që nga aplikimi i këtyre masave, përfaqësues të doganave nuk kanë lejuar asnjë mall me origjinë nga Serbia të futet në tregun kosovar.

Me gjithë përpjekjet e shtetit serb që t’i shfrytëzojë vendet tjera të rajonit për futjen e mallit të tij në Kosovë, çdo gjë ka rezultuar pa sukses.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se në ditët e para të aplikimit të këtyre masave, ka pasur disa tentime, por jo edhe më vonë.

“Të gjitha degët doganore janë udhëzuar që të kenë kujdes në këtë qasje. Faktikisht, për secilin mall që ka dyshime, bëhet edhe verifikimi fizik i tij”, thotë Stavileci.

Menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e futjes së mallrave serbe, kompanitë e Serbisë janë angazhuar që Maqedoninë ta shfrytëzojnë për eksportin e mallrave të tyre në territorin e Republikës së Kosovës.

Por, të gjitha këto mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht, thotë Stavileci.

Produkte serbe
“Mallrat kalojnë nga Maqedonia, por edhe pas ndërrimit të dokumentacionit, prapëseprapë origjina mbetet e njëjtë. Origjina mbetet e Serbisë dhe ai dokument mbetet i vulosur me vulën e Serbisë”.

“Këto raste, doganat i kanë kthyer mbrapa. Ato kanë ndodhur në ditët e para, menjëherë pas aplikimit të parimit të reciprocitetit. Në ditët e fundit nuk kemi pasur raporte, të cilat tregojnë se ka pasur tentime të tilla”,
thekson Stavileci.

Mimoza Kusari Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, rithekson se hyrja e mallrave serbe nuk do të lejohet nga asnjë vend fqinj.

Sipas saj, kompanitë e vendeve rajonale janë të interesuara që të rrisin importin e mallrave të tyre në tregun kosovar, për t’i zëvendësuar produktet serbe.

Një interesim të tillë tashmë e kanë shprehur autoritetet maqedonase, thotë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila.
Maqedonia është e interesuar që vetë ta mbulojë pjesën e tregut që e ka pasur Serbia në Kosovë.

“Shteti i Maqedonisë e bën për dy arsye - e para është se kthejmë, siç kemi kthyer edhe nga pikat tjera kufitare, dhe arsyeja e dytë është se Maqedonia është e interesuar që vetë ta mbulojë pjesën e tregut që e ka pasur Serbia në Kosovë", thotë Kusari Lila për Radion Evropa e Lirë.

Kompania “Agro Trade-Group” nga Prishtina është distributor i vetëm për “Coca-Cola”-n nga Serbia për në Kosovë.

Sadudin Humolli, udhëheqës i kësaj kompanie, tregon se që nga 20 korriku, nga Serbia nuk ka pasur asnjë tentim për hyrjen e këtij produkti në vend

“Kemi në rajon fabrika të tjera, kështu që nuk jemi të varur vetëm nga një pikë. As nuk kemi tentuar dhe as që ka qenë çështje bisede. Coca-Cola mund të hyjë nga pikat tjera rajonale, si Bullgaria dhe Maqedonia”, thotë Humolli.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa reciproke ndaj produkteve serbe, ndërsa taksë doganore prej 10% për produktet e Bosnjë e Hercegovinës.

Lexoni edhe këtë:
Reciprociteti ndaj Bosnjës
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG